Para një jave konsullata e nderit e Shqipërisë në Kharkiv është shkatërruar nga bombardimet ruse.
Ndërkoha nga ana e saj Rusia i ka hedhur poshtë akuzat e bombardimit të konsullatës së nderit të Shqipërisë në Kharkiv.
“Rusia hedh poshtë me forcë akuzat e Ministrisë së Jashtme shqiptare se forcat e armatosura ruse dyshohet se kanë dëmtuar ndërtesën e konsullatës së nderit të vendit në Kharkiv”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.
Kujtojmë se më 7 mars, Ministria jonë e Jashtme njoftoi në “Twitter” se konsullata e nderit është shkatërruar nga bombardimet ruse: “Shqipëria e dënon me forcë agresionin rus që solli shkatërrimin e konsullatës së nderit të Shqipërisë në Kharkiv. Autorët do të mbajnë përgjegjësi”. Kujtojmë që para disa ditësh në Rusi u miratua lista e vendeve jomiqësore me Rusinë, ku përfshihej edhe Shqipëria.
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, lista përfshin: Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut – që të tria vende anëtare të NATO-s.
“Vendet dhe territoret e përmendura në listë vendosën ose iu bashkuan sanksioneve kundër Rusisë, pas fillimit të një operacioni special ushtarak të forcave të armatosura ruse në Ukrainë”, thuhet në deklaratën e Qeverisë ruse, të cilën transmetoi agjencia ruse e lajmeve TASS. Lista, mes të tjerave, përfshinte edhe Shtetet e Bashkuara, shtetet e Bashkimit Evropian, Mbretërinë e Bashkuar, Ukrainën, Zvicrën, Islandën etj.