Përmes një statusi në rrjetet sociale, Rama poston një foto nga mbledhja e qeverisë, ku thotë se po bëhet gati paketa sociale për situatën e krijuar.
Postimi i Ramës:
Kryeministria – Paketa e Rezistencës Sociale ndaj pasojave të krizës globale energjetike si edhe të luftës në Ukrainë mbi çmimet po merr formë përfundimtare.
Pas mbledhjes, kryeministri Edi Rama pritet që të ketë një komunikim për masat që do të marrë qeveria për përballimin e krizës.
Ky reagim i qeverisë, vjen pas një vale protestash në të gjithë vendin, kundër rritjes së ndjeshme të çmimeve, të karburanteve dhe jo vetëm.
Fillimisht Rama tentoi injorimin e protestës, por duke marrë parasysh përmasat e saj, dhe shtrirjen në të gjithë vendin, duket se më në fund ka ardhur dhe reagimi.
Sa i takon çmimit të naftës, ai ka rënë nën 200 lekë për litër, dhe tashmë qeveria ka krijuar një Bord të Administrimit, në mënyrë që të mos ketë diferenca mes kompanive të ndryshme.
Gjatë ditës së sotme nafta në shumicën e karburanteve ka zbritur poshtë çmimit 200 lekë për litër, ndërkohë që kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale, thotë se do të nisë nga puna Bordi Kombëtar për Administrimin e Karburanteve.
Sipas Ramës fitimi i kompanive që merren me furnizimin me karburante do të ngrijë, ndërkohë që çmimi do të bëhet transparent për të gjithë qytetarët.