Në Kosovë ka pasur një ulje të çmimit të naftës ditën e sotme. Ndërsa ditë më parë, nafta shitej me 1.5 euro, sot çmimi ka rënë në 1.3 euro. Kjo gjë është vënë re në pikat e karburanteve të qyteteve kryesore.
Kosova renditet kështu ndër vendet me çmimin më të ulët të karburantit krahasuar me vendet e tjera të rajonit, sidomosd me Shqipërinë ku çmimi i naftës kaloi shifrën e 270 lekëve të reja duke u ulur vetëm në ditët e fundit në shifrën “240 lekë” pas protestave të qytetarëve. Nga ana tjetër fqinji lindor, Maqedonia e Veriut, ka të njëjtin çmim për naftën pavarësisht rritjeve në rajon, duke mbetur në nivelin 1.5 euro.
Ndërkohë një shishe vaj ka kapur vlerën e 3.50€ një bidon. Lulzim Syla, ish-kryeinspektor në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë ka deklaruar plot bindje se “çmimi i vajit do të shkojë 5 euro për litër”.
Ai ka shtuar se qeveria nuk ka marrë masa për të ndaluar rritjen dhe zgjidhja më e mirë për zgjidhjen e situatës është krijimi një task-force.
“Të krijohet një task-forcë për të bërë inspektime se kush po i rrit çmimet, të shkojë tek të gjitha bizneset apo tek importuesit më të mëdhenj, që të marrin të gjitha dokumentacionet se me çfarë çmimi e ka sjellë atë produkt, dhe me çfarë çmimi po e shet. As nga Ukraina e as nga Rusia nuk kemi marrë produkte ose lëndë të parë që të ngrihen çmimet siç po ngrihen sot. Unë besoj se bizneset janë të lidhur me shtetin, dhe për këtë po rriten çmimet. Është e paimagjinueshme që sot të jetë një litër 3,43 euro. Në këto kohë me u rrit çmimi prej 1,89 euro në 3,49 euro për 3 ditë, unë e them me bindje të plotë se brenda 3 apo 4 ditësh, eventualisht 5 ditësh, çmimi i një litër vaji do të jetë 5 euro”,-paralajmëroi ish-kryeinspektori.