Polonia i befasoi Shtetet e Bashkuara të martën, pasi ofroi t’i dorëzonte Ukrainës të gjithë flotën e saj prej 28 avionësh luftarakë. Varshava propozoi dërgimin e avionëve luftarakë në një bazë ajrore amerikane në Ramstein, Gjermani, ku më pas do të kalonin në Ukrainë.
Sekretari i Shtypit i Pentagonit, John Kirby e hodhi poshtë planin, duke thënë se ai do të ngjallte shqetësime serioze për të gjithë aleancën e NATO-s. “Thjesht nuk është e qartë për ne se ka një arsye thelbësore për këtë,” shtoi ai. Sekretari i Shtypit i SHBA Kirby tha se ata tani ishin në kontakt me qeverinë polake për këtë çështje. Në një vizitë në Oslo, kryeministri polak Mateusz Moraëiecki theksoi se një vendim për dërgimin e armëve sulmuese duhet të merret unanimisht nga të gjithë anëtarët e NATO-s. Ai tha se megjithëse Polonia do të ishte e gatshme të dorëzonte flotën e saj, vendi nuk ishte gati të bënte ndonjë lëvizje vetë, sepse “ne nuk jemi palë në këtë luftë”.
Kujtojmë se të hënën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy i bëri thirrje edhe një herë komunitetit ndërkombëtar që të mbështesë Ukrainën me pajisje ushtarake. “Na, ukrainasve, na jepni aeroplanë luftarakë dhe avionë luftarakë, të cilët mund t’i përdorim për të mbrojtur veten, fëmijët tanë”, shtoi Zelenskyy.
Nga ana tjetër Ministria Ruse e Mbrojtjes paralajmëroi se nëse avionët luftarakë do të sulmonin forcat ruse nga vendet fqinje, kjo “mund të konsiderohet si angazhim i atyre vendeve në konfliktin ushtarak”.