Rritja e çmimeve është një nga tematikat më të diskutuara kohët e fundit. Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka reguar menjëherë pas konferencës së jashtëzakonshme për shtyp të kryeministrit Edi Rama lidhur me krizën energjetike, sipas tij të shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Ajo është shprehur se rritja e çmimeve aret drejtpërdrejt nga politikat që ai ndjek duke u krahasuar me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Gjithashtu Kryemadhi tha se Shqipëria nuk ka shpallur ligjërisht gjendjen e luftës dhe çmimet e taksat ishin të gjitha pasojë e vendimarrjeve të kreu të qeverisë.
Postimi i plotë:
Më e pakta mbyll gojën dhe na kurse të vjellat. Lufta nuk është gjendje psiqike, por shpallet sipas parashikimeve ligjore. Shqipëria nuk ka shpallur ligjërisht gjendjen e luftës dhe çmimet e karburanteve, energjisë elektrike, taksat e larta, janë të ndikuara vetëm prej vendimmarrjeve të Edi Ramës në krye të qeverisë. Qytetarët në Maqedoninë e Veriut, vend i cili nuk prodhon asnjë fuçi naftë, e marrin naftën më lirë dhe cilësisht më të mirë se qytetarët tanë. Nafta që marrin qytetarët e Kosovës importohet në Durrës, transportohet deri atje dhe në pompa është më e lirë se nafta që marrin qytetarët tanë. Kaq duhet të mjaftojë për të kuptuar cili është ndikues për shtrenjtimin aktual të karburanteve, produkte jetike që ndikojnë ekonominë e çdo familje dhe biznesi në vend. Ndryshe nga vendet e tjera të Evropës që vuajnë për burime të prodhimit të energjisë, Shqipëria është e pasur në nëntokën e saj me naftë, e bekuar me burime hidrike për prodhim energjie, me diell përgjatë gjithë vitit. Përmes një qeverisje të kujdesshme në menaxhimin e tyre, shqiptarët energjinë elektrike, naftën dhe nënproduktet e saj do duhet t’i merrnin gjithmonë me kosto shumë herë më të përballueshme. Mos ja hani gënjeshtrat por kërkojini të mbajë përgjegjësi! Sepse, një njeri që edhe plehrat i shikon si mjet për tu pasuruar, siç tregoi afera e inceneratorëve, për të cilin presim SPAK të godasë fortë e lartë, në çdo moment të ushtrimit të funksionit njerëzit i konsideron miza dhe xhepin e vet më të rëndësishëm se ekonomia e familjeve shqiptare.
Sot, Rama thotë se duhet të përgatitemi për pasojat ekonomike, edhe për skenarë dramatik që përfshijnë shkurtime të energjisë dhe naftës, e po ashtu, njoftoi ngritjen e një komiteti ndërministror për pasojat e luftës.