Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka kërkuar të ndërtojë një sistem online që do t’i shërbejë për shit-blerjen e energjisë.
Kompania publike ka vendosur në dispozicion një fond limit prej 155 milionë lekësh apo rreth 1.3 milionë euro për operatorët ekonomikë të cilët do të duhet të japin ofertat e tyre nën këtë vlerë. Sipas dokumenteve të KESH nevoja për ngritjen e kësaj platforme vjen në kushtet kur kompania ka një licencë për furnizim të energjisë dhe detyrimin për zhvillimin në platforma elektronike të procedurave.
“Qëllimi i këtij projekti është ndërtimi i një sistemi i cili do të bëjë të mundur publikimin e tenderëve të shitjes dhe blerjes së energjisë elektrike nga ana e KESH, ku më pas të gjithë operatorët vendas apo të huaj të cilët dëshirojnë të japin ofertat e tyre për këto tendera të kenë mundësinë të ofertojnë online në këtë sistem. Sistemi gjithashtu do të bëjë të mundur sugjerimin në mënyrë automatike të ofertave më të favorshme për KESH për të maksimizuar të ardhurat dhe për të ulur shpenzimet. Në kushtet ku KESH sh.a. është pajisur me licencë në aktivitetin e furnizimit me energji elektrike si dhe ku parashikohet që procedurat e shit-blerjes së energjisë elektrike do të kryhen me mjete elektronike/platforme, lind nevoja për hartimin e rregullave të reja të tregtimit të energjisë elektrike” thuhet në dokument.
Procedura “Platforma për menaxhimin e shit-blerjes së energjisë si dhe modulet mbështetëse” jep detaje mbi mënyrën sesi duhet të jenë të ndërtuara modulet e sistemit sa i takon krijimit të përdoruesve apo krijimit të klientëve. Sa i takon këtyre të fundit KESH sqaron se në këtë sistem klient do të quhet çdo operator vendas apo i huaj i cili është i interesuar të marrë pjesë në prokurimet e publikuara nga KESH për shitblerjen e energjisë elektrike.
“Për shkak të rëndësisë së sistemit klientët e interesuar duhet në fillim të kontaktojnë me KESH, i cili bën verifikimin e dokumenteve dhe më pas përdoruesit e brendshëm të KESH kanë mundësi të krijojnë llogari klienti për ta. Për të krijuar një klient përdoruesit e KESH regjistrojnë emrin e klientit, shtetin, aksioneret, ngarkojnë dokumentet përkatëse, vendosin të dhënat për përdoruesin i cili do të futet në sistem. Në çastin e krijimit te klientit paralelisht në mënyrë automatike sistemi duhet të krijojë dhe përdoruesin përkatës për atë klient” thuhet në dokument. Operatorëve u kanë lënë afat deri më 18 mars 2022. / Monitor