Në kuadër të projektit të “Unazës së Madhe” në zonën e ‘5 Majit’, qindra banesa janë projektuar për t’u shembur nga IMT.
Ditën e sotme vazhdon sërish rezistenca e banorëve të lagjës së “5 Majit” për të mbrojtur banesat e tyre.
Theksojmë se sot parashikohet që të shemben 12 banesa, ndërsa më parë janë shembur dhjetëra të tjera.
Në lagjen “5 Maji” në Tiranë ka pasur përplasje dhe tensuione midis banorëvev dhe forcave të policisë. Banorët e 12 banesave që priten të shemben sot nga IKMT qëndruan gjithë natën zgjuar për të ruajtur banesat e tyre që preken nga shembjet. Në orët e para të mëngjesit ata u përballën me forcat e OSHEE të cilat mbërritën për të bërë ndërprerjen e energjisë elektrike. Më pas, në zonë u shtuan forcat e policisë. Këta të fundit rrethuan zonën e më pas nisën spastrimet brenda banesave, në mënyrë që brenda tyre të mos kishte asnjë qytetar. Shembjet u shoqëruan me gaz lotësjellës, shashka, hedhje gurësh nga efektivëve. Për pasojë tre janë banorët që u shoqëruan nga policia, në mesin e tyre edhe Laureta Nikolli.
Kujtojmë se prej disa kohësh banorët e “5 majit” por jo vetëm janë ngritur në protesta që kundërshtojnë shembjen e banesave të tyre.
Një pjesë e banorëve nuk kanë pranuar kontratat e propozuara nga bashkia, ku thuhet se do të përfitojnë kompensim të plotë nëpërmjet shkëmbimit të pronës së tyre me objektet e reja që do të ndërtohen në lagjen e re me të njëjtat metra katror. Sipas tyre ajo është e njëanshme dhe nuk ka vlerë ligjore.
Ndërkohë qeveria ka deklaruar se banorët që preken nga ndërtimi i lagjes së re në zonën e “5 Majit” do të dëmshpërblehen 100 % për pronën e tyre.
Pas takimit para 2 javësh me kryeministrin Rama, nënë Liza, tashmë simbol i protestës së banorëve të “5 Majit” u shpreh: “Unë refuzoj ndihmën me taksat e popullit, unë e kam bërë shtëpinë vetë me djersën e djemve dhe vajza të mija dhe s’ka të drejtë të ma marri askush”.
Në fakt nënë Liza tha një të vërtet të hidhur, që kostoja e akomodimit dhe “qetësimit të gjakrave” të banorëve të “5 Majit” bie mbi taksapaguesit shqiptarë. Shpenzimet për qiranë, për projekte dhe rregullime i paguajmë ne nëpërmjet taksave ndërkohë që miqtë e Veliajt bëjnë “kërdinë” me shitjet e apartamenteve.