Joe Biden, i ka dërguar letër kreut të Serbisë, Aleksander Vuçiç, me rastin e ditës së shtetit të Serbisë.
Në letrën e publikuar nga presidenca e Serbisë, Joe Biden i kujton Vuçiçit se rruga evropiane e Serbisë varet nga progresi drejt normalizimit të plotë të raporteve me Republikën e Kosovës, raporte të cilat Biden e përsëritë se duhet të bazohen në njohje reciproke.
Biden i ka thënë Vuçiçit se Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa Serbinë dhe të gjithë fqinjët e saj.
“Aspiratat e Serbisë drejt BE-së gjithashtu varen nga progresi drejt normalizimi të plotë të raporteve në mes të Beogradit dhe Prishtinës, të cilat, siç edhe ju e dini, duhet të bazohen në njohje reciproke. SHBA-ja qëndron e gatshme që t’iu mbështes për të punuar në mirëbesim për të arritur një synim të tillë. Familja evropiane nuk është e plotë pa Serbinë dhe pa të gjithë fqinjët e saj”, ka shkruar Biden në letrën e tij.
Kosova dhe Serbia vazhdojnë të mos jenë dakord për shumë gjëra. Për Prishtinën, negociatat synojnë pranimin nga ana e serbëve e planit të Ahtisarit – korniza e hartuar fillimisht nga Marti Ahtisari, ish i dërguari special i Kombeve të Bashkuara – i cili përcaktoi strukturën e brendshme dhe shtetësinë e Kosovës. Për Beogradin, bisedimet lidhen me rishqyrtimin dhe përmirësimin e marrëveshjeve që i konsideron si të mangëta apo të papranueshme, siç është plani i Ahtisarit.