Rritja e çmimit të naftës është pranë niveleve më të larta disa-vjeçare, duke shkaktuar krizë në tregun vendas. Nuk mjaftonte rritja e çmimeve tavan të produkteve e shërbimeve por u rrit me shifra marramendëse edhe çmimi i naftës i cili ka pësuar rritje për herë të shtatë radhazi në vetëm pak muaj. Aktualisht, një litër naftë po shitet mesatarisht me 196 lekë për litër, ndërsa një litër benzinë 198 lekë për litër. Ndërkohë ditën e djeshme kreu i Autoritetit të Konkurencës Denar Biba tha se kanë nisur hetimet për situatën e krijuar.
Bibaj dyshon se çmimi u rrit unanimisht dhe ka indikator që mund të jetë bërë me një marrëveshje të ndaluar.
“Çmimet janë të rëndësishme. Ne kemi vendosur prej një jave monitorimin e tregut të hidrokarbureve, pra indikatori ishte rritja e menjëhershme në unison e çmimit, mund të jetë një nga indiciet e një marrëveshje të ndaluar, mund të jetë e ndikuar nga tregjet e jashtme, prandaj kemi vendosur hetimin për një periudhë që të jetë sa më e shpejtë brenda kapaciteteve tona”, u shpreh kreu i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba në Komisionin e Ekonomisë.
Por në fakt duke marrë në konsideratë profilin e kreut të AK-së, Denar Bibës kjo deklaratë nuk ngjall shumë besim në opinionin publik se çmimi i karburantëve mund të normalizohet. Denar Biba është i zhytur në korrupsion dhe si i tillë nuk mund të veprojë kundër këtij fenomeni.
Kujtojmë së Autoriteti i Konkurrencës, i cili njihet si “kampion” për afera të paligjshme vazhdoi në këtë linjë duke emëruar në dhjetorin e vitit 2021, në krye të saj një person që i përshtatet interesave të tij.
Mjafton të përmendim disa nga“bëmat” e Denar Bibës për të kuptuar arsyen pse ai nuk mund të premtojë ndryshim dhe se rezultati i hetimit dihet që tani.
Në shtator të këtij viti, Denar Biba shpëtoi me anë të votës së tij si pjesë e komisionit kompanitë e prodhimit të miellit nga një gjobë 5 milionë euro pas paktit për rritjen e çmimit të bukës, përmes një marrëveshjeje për krijimin e monopolit të miellit dhe paracaktimit të çmimit.
Për muaj me radhë, Komisioni i Konkurrencës hetoi 7 kompani të miellit, për marrëveshje mes tyre në paracaktimin e çmimit dhe manovrave me rezervat e miellit.
Komisioni i Konkurrencës përgjatë hetimit ka konstatuar pazarin mes 7 oligarkëve për çmimin e miellit dhe rrjedhimisht edhe të çmimit të bukës së përditshme.
Në fund, tre anëtarë të Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba, Ledia Matja dhe Adriana Berberi kanë votuar për ta rrëzuar gjobën, duke hedhur poshtë kështu punën 1 vjeçare të komisionit që hetoi në lidhje më këtë çështje.
Ndërkohë që ditën e djeshme , kishte një tentativë të dëshpëruar nga Biba për të mashtruar deputetët në Komisioni për Ekonominë dhe Financat.
Ai u pyet disa herë nga deputetët se pse votoi për t’i hequr gjobën kartelit të miellit dhe në vend të përgjigjes, Biba përpiqej të “lozte” me fjalët duke bërë retorike si nëj tentativë për tu shmangur nga përgjegjësia e përgjigjes.
“Gjoba ishte në nivele tepër të larta. Nuk duam të konsiderohemi si një institucion, i cili ka si qëllim primar gjobitjen e bizneseve. Gjoba është një instrument për ndëshkimin dhe edukimin e bizneseve që shkelin ligjin, por nuk është qëllimi primar i institucionit tonë. Debatet ishin të larta, me tone të larta. Nuk ka pasur në mbledhjen tonë një draft për propozim për gjobë”, tha ndër të tjera Denar Biba.
Po gjithashtu Denar Biba ka edhe histori të tjera përforcuese të faktit se është i lidhur ngushtë me aferat korruptive.
Në vitin 2018, u publikua një audiopërgjim, ku dëgjohej ish kreu i KQZ Denar Biba që shantazhonte gjyqtarin shqiptar të Strasburgut, Ledio Bianku për të ndikuar mbi proceset gjyqësore që kishte qeveria shqiptare për pronat në Strasburg. Edhe pse shantazhi u pranua nga Denar Biba, skandali kaloi pa asnjë ndëshkim.
Kujtojmë, se më 30 dhjetor 2019, gruaja e Denar Bibës, ish-Këshilltare Ligjore në Gjykatën e Lartë, dha dorëheqjen 1 javë para datës së “Veting”, nga frika e pasurive të paligjshme dhe cënimit të integritietit gjatë ushtrimit të detyrës.
Por nuk vonoi shumë dhe më 14 shkurt 2020, ose 40 ditë pas shkarkimit nga KPK dhe përjashtimit për 15 vite nga sistemi i drejtësisë, kryeministri Edi Rama e emëroi Anëtare të Këshillit Drejtues të Entit Rregullator të Ujit në Ministrinë “Balluku”.
Të ndodhur përballë këtyre fakteve, që tregojnë implikimin e drejtëpërdrejtë të kreut të Autoritetit të Konkurrencës në çështje korruptive, vlen të themi që besimi i opinionit publik është shumë i ulët se mund të ketë ndrushimi në çmimin alarmant të karburantit.