Policia e Kosovës ka arrestuar kryetarin e PSD-së, Dardan Molliqaj, burrin e ish-ministres Besa Shahini. Molliqaj u arrestua para futjes në emisionin Pressing në T7 nga Policia lidhur me protestën kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike që u mbajt të shtunën. Policia ka bërë të ditur se janë arrestuar dy persona lidhur me atë protestë dhe në një komunikatë të lëshuar kanë dhënë detaje tjera.
“Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës, respektivisht Njësia e Hetimeve të Përgjithshme sot ka realizuar dy arrestime të natyrës procesorë. Arrestimi i parë u krye në orët e paradites kur me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit u arrestua dhe u dërgua në mbajtje prej 48 orësh i dyshuari;
A. M, mashkull 43 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, nën dyshimin e arsyeshëm se i njëjti është përfshirë në rastin e sulmit ndaj personit zyrtar të ndodhur në protestën e datës 29.01.2022. Arrestimi i dytë, u krye në orët e mbrëmjes, në dalje të Prishtinës me ç ‘rast, policia arrestoi të dyshuarin; D. M, mashkull 37 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, për të cilin po ashtu ekziston dyshimi i arsyeshëm se i njëjti është përfshirë në rastin e sulmit ndaj personit zyrtar të ndodhur në protestën e datës 29.01.2022”, thuhet në komunikatë.
Policia tregon tutje se i ka kërkuar të dyshuarit në vendbanimet e tyre, por që nuk i ka gjetur dhe u ka lënë një ftesë për paraqitje në Polici.
“Ndërkohë që policia e kishte kërkuar në adresat e banimit dhe nuk e kishte hasur, të njëjtit i kishte lënë edhe një ftesë për paraqitje vullnetare por i dyshuari nuk e kishte përfillur. Pas arrestimit i dyshuari është dërguar në stacionin policor dhe si vijimësi e hapave të nevojshëm procedural, me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje prej 48 orësh”, përfundon komunikata.