Rritja e çmimit të energjisë elektrike nuk i ka lënë indiferent qytetarët e Kosovës të cilët kanë reaguar nëpërmjet një proteste.
Partia Socialdemokrate ka zhvilluar protestën e paralajmëruar kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike. ‘Lypëm dritë, gjetëm terr’. ‘Albin mashtruesi’. ‘Krejt dhe shtrenjtë’ janë disa nga parullat me të cilët qytetarët dhe aktivistë marshuan rrugëve të kryeqytetit. Madje “Albin rrenci” është thirrja që u dëgjua më së shumti nga qytetarët pjesëmarrës në protestë.
Protestuesit nga sheshi “Zahir Pajaziti” kanë marshuar deri te objekti i Qeverisë së Kosovës. Protestuesit dhe Policia janë konfrontuar para institucionit të Qeverisë në Kosovë. Pasi Policia është zhvendosur pak, protestuesit kanë tentuar të vendosen në shkallët e objektit të Qeverisë.
Aktivisti Nol Nushi ka kërkuar që të lirohen shkallët e objektit për të mbajtur një fjalim. Por, një gjë e tillë s’është lejuar dhe ka ardhur deri te konfrontimi. Protesta po zhvillohet kundër propozimit të qeverisë për shtrenjtimin e energjisë elektrike. Protesta u përshkallëzua, pasi qytetarët të revoltuar tentuan të hyjnë me dhunë në Kryeministri, por u penguan nga policia.
Ndërkohë të revoltuar kanë hedhur para ambienteve të Kryeministrisë qirinj dhe poça elektrikë, në shenjë pakënaqësie për shtrenjtimin e energjisë elektrike.
Protesta u finalizua në këtë lloj mënyre dhe më pas qytetarët kanë fillur të shpërndahen dhe të largohen.