Ditën e djeshme ka ndodhur shembja e e banesave në zonën e “5 Majit” në kuadër të projektit të rindërtimit, proces i cili është shoqëruar me përplasje mes policisë dhe banorëve.
Banorët kanë bërë rezistencë, pasi sipas tyre shembja e banesave është kundër ligjit, duke theksuar se ato nuk kanë bërë asnjë marrëveshje me Bashkinë e Tiranës sa i përket bonusit të qirave dhe se nuk dinë se ku të shkojnë. Një prej banoreve të ndërtesave të cilat janë të prekura nga shembja është nënë Linza e cila që prej ditës së djeshme ka mbetur e pastrehë. Në një gjendje të dëshpëruar, ajo shprehet se ka fjetur jashtë dhe se nuk dëshiron t’iu bëhet bezdi të tjerëve.
Ndërkohë nuk kanë munguar thirrjet ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke i thënë se edhe ai është familjar dhe duhet t’i marrë në konsideratë disa gjëra bazike.
“Jashtë na ka lënë dhe jashtë kemi fjetur. Unë nuk shkoj derë më derë. Erion Veliaj në qoftë se ka grua, nënë e fëmijë, a e di se duhet larë gruaja. Unë nuk di se ku I kam rrobat e mia. I kanë vënë në makinë dhe akoma se di ku janë. Shkuan I kërkuan, por nuk kanë gjetur gjë. Më kanë marrë gjërat personale të miat. Veliaj nuk është njeri. Unë do vazhdoj të protestoj. Unë dua shtëpinë time. Nuk dua shtëpinë e Erion Veliaj, dua shtëpinë time. Unë në pallat social nuk hyj. Nuk kam kërkuar as lesh as qime, por kam kërkuar rrobat e mia” tha nënë Linza, banore e lagjes “5 Maji” në Tiranë.