Mbrëmjen e djeshme një tërmet është regjistruar në Shqipëri.
Tërmeti ka qenë me magnitudë 4.8 ballë të shkallës rihter dhe epiqendra e saj ka qenë 12 km nga qyteti i Pukës, ndërsa thellësia e saj ka qenë 10 km.
Tërmeti ka lënë pasoja dhe dëme të shumta materiale në Bashkinë e Pukës, por edhe në zonat rurale të këtij rrethi.
Dhjetra banesa kanë pësuar çarje të konsiderueshme, duke marrë parasysh dhe vjetërsinë e tyre.
Kryetari i Bashkisë së Pukës, Gjon Gjonaj për “Fax News” tha se dëme ka pasur në pallate, por edhe në godinat e institucioneve publike, përfshirë spitalin e qytetit.
Sipas tij, paraprakisht dëmet nga tërmeti vlerësohen rreth 3 milionë euro, e cila është një faturë e papërballueshme për pushtetin lokal.
Gjonaj u shpreh se më e rëndësishmja mbrëmjen e djeshme ishte që fatmirësisht nga tërmeti nuk pati dëme në njerëz, ndërkohë që paniku tek qytetarët ka qenë mjaft i madh.
Gjon Gjonaj: Tërmeti i mbrëmjes së djeshme, që i shkallës relativisht të rrezikshme, e gjithë popullata doli në shesh, shumë orë qytetarët nuk u kthyen në banesa, kishte dëme materiale të konsiderueshme.
Ka pasur shkallë të ndryshme dëmtimi të godinave, përfshirë edhe spitalit, ne jemi në terren, dhe së shpejti ne pritet që të dalim me një faturë. Duhet të jemi shumë të lumtur që nuk kemi pasur jetë njerëzish të humbura.
Dëmtime në banesa, pothuajse ka në të gjitha ndërtesat e vjetra, kemi pasur dëmtime edhe në fshatra, që kanë qenë të vjetra. Duhet të gjejmë mundësinë për të larguar panikun te njerëzit, ne do të bëjmë të pamundurën që të ndërhyjmë në rikonstruksionin e banesave, përfshirë edhe oxhaqet.
Mbas një kohe rreth dy orë e gjysmë, të gjithë banorët u rikthyen në banesa, nuk kemi situata ku banesat të jenë tërësisht jashtë funksionit. Do të ndihmojmë me ushqime, me gjona, që të ndihmojmë në heqjen e stresit të banorëve. Ne e kemi të pamundur që të përballojmë ekonomikisht pasojat e këtyre dëmeve, që mund të shkojnë deri në 3 milionë euro.