Ditën e sotme përfaqësuesi Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke u fokusuar tek protesta e 8 janarit thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha zhvilluar në selinë e PD.
Për Escobar dhuna duhet dënuar dhe se nuk është mjeti me të cilën mund të merret një parti politike.
Duke u ndalur tek marrëdhënia me PD dhe kreun Lulzim Basha, ai tha se e sheh Partinë Demokratike si një partner shumë të rëndësishëm.
Sipas tij PD me në krye Lulzim Bashën është një opozitë e shëndetshme që i duhet vendit.
Pjesë nga intervista:
Zëri i Amerikës: Zoti Escobar, situata në selinë e partisë kryesore të opozitës në Shqipëri, Partisë Demokratike u bë e dhunshme fundjavën e kaluar. Çfarë mendimi keni për atë që ndodhi atë ditë dhe në përgjithësi për atë që po ndodh në Partinë Demokratike?
Gabriel Escobar: Mendoj se është për të ardhur keq që dikush do të përdorë dhunën dhe jo kutinë e votimit në një përpjekje për të marrë nën kontroll një parti politike. Dhe ne e dënojmë këtë. Ne jemi të bashkuar me partnerët tanë evropianë në dënimin e (dhunës) dhe shpresojmë që të mos ndodhë më. Gjithashtu u bëjmë thirrje autoriteteve të ndjekin penalisht çdo person që është i përfshirë në dhunë politike.
Zëri i Amerikës: Ju thoni se shpresoni që të mos ndodhë më, por zoti Berisha ka thënë se nuk do të heqë dorë nga përpjekjet e tij…
Gabriel Escobar: Kjo është për të ardhur keq dhe mendoj se qëndrimi ynë për zotin Berisha është tashmë shumë i qartë.
Zëri i Amerikës: A jeni të shqetësuar për fatin e Partisë Demokratike? Ishte partia e parë që u krijua pas rënies së komunizmit, që solli pluralizmin dhe tani ajo është në një pozitë tejet të dobësuar.
Gabriel Escobar: U takon votuesve të përcaktojnë se në ç’pozitë janë partitë politike në Shqipëri. Është për të ardhur keq që megjithëse ne e konsiderojmë Partinë Demokratike një partner të rëndësishëm në Shqipëri, jo gjithkush që pretendon se është anëtar i Partisë Demokratike është një partner i rëndësishëm i yni në këto momente.
Zëri i Amerikës: Para përcaktimit këtë vit nga Departamenti i Shtetit i zotit Berisha si persona non grata, ai ishte praktikisht në pension politikisht. Dhe tani ka kritikë, që thonë se pas këtij përcaktimi ai është kthyer me forcë dhe i mbështetur me energji nga përkrahësit e tij, duke u bërë faktor përsëri. Cili është reagimin juaj ndaj këtyre zërave?
Gabriel Escobar: Para së gjithash, përcaktimi kishte të bënte me korrupsionin. Nuk kishte të bënte me politikën e mbështetësve të tij apo jetën e tij politike. Dhe ne u kemi bërë thirrje autoriteteve ta luftojnë korrupsionin kudo që ta identifikojnë dhe të ndjekin penalisht përgjegjësit. Përsa i përket rikthimit, nuk jam i sigurt se është tamam ashtu. Është e mundur që ai të ketë mbështetës. Por unë do t’u tërhiqja vëmendjen atyre që mendojnë se fakti që ai mund të nxjerrë përkrahës të dhunshëm në rrugë, sinjalizon një lloj mbështetjeje elektorale. Dyshoj që të jetë kështu. Dhe shpresoj që votuesit ta refuzojnë këtë lloj sjelljeje në këto lloj aktivitetesh.
Zëri i Amerikës: Megjithatë, duket se mbështetësit e tij po e përkrahin fuqishëm dhe duket që ai të ketë shumë të tillë…
Gabriel Escobar: Po, është e mundur. Por nuk dua të flas për Berishën. Dua të flas për të ardhmen e Shqipërisë dhe të ardhmen e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Tani Shqipëria është një nga aleatët më të fortë dhe më të rëndësishëm që kemi në rajon. Marrëdhëniet tona në të gjitha aspektet, politike, strategjike, ushtarake dhe madje edhe ekonomike po rriten më shpejt se çdo marrëdhënie tjetër në rajon. Ne duam ta mbajmë të tillë. Kjo është e ardhmja. Nëse njerëzit, përfshirë përkrahësit e tij duan të shohin prapa, u takon atyre (të vendosin). Por ne shpresojmë që njerëzit ta kuptojnë se Shqipëria ka një të ardhme shumë të ndritur përpara, nëse vazhdon në rrugën që po ecën, që është një orientim i fortë euroatlantik.
Zëri i Amerikës: Në çdo vend opozita është jetike për ta vënë qeverinë para përgjegjësisë. Dhe ka nga ata që thonë se me atë që po ndodh tani me Partinë Demokratike, nuk po i kushtohet vëmendje mbikqyrjes së qeverisë dhe kryeministrit në Shqipëri, se si po e bëjnë ata punën e tyre. A është kjo shqetësuese për ju?
Gabriel Escobar: Unë besoj se çdo vend evropian, ashtu si edhe vendi ynë duhet të ketë një opozitë të shëndetshme. Besoj se Partia Demokratike aktuale e ofron një gjë të tillë. Unë kam një marrëdhënie të mirë me zotin Basha. Kështu që do të thoja se ajo që po ndodh në rrugë nuk reflekton në të vërtetë atë që është tani Partia Demokratike. Kështu që shpresoj që votuesit të kuptojnë, që votuesit ta refuzojnë këtë lloj sjelljeje.
Zëri i Amerikës: Dhe a do të ketë përcaktime të personave të tjerë?
Gabriel Escobar: E kam thënë se nuk më pëlqen të flas për sanksionet në përgjithësi, për shumë arsye, por kryesisht për faktin se nuk është kjo mënyra se si angazhohen Shtetet e Bashkuara në rajon, veçanërisht me Shqipërinë. Kemi aq shumë rrugë pozitive angazhimi dhe do të vazhdojmë t’i përdorim ato. Megjithatë, do të ketë përcaktime të tjera në rajon.