Ditën e sotme duke marrë shkas nga protesta e dhunshme që u mbajt më 8 janar para PD-së, ku përkrahës të ish-kryeministrit Sali Berisha tentuan të hynin brenda në seli, prokuroria do të marrë në pyetje figurat më të rëndësishme të kësaj partie.
Lajmi është bërë i ditur nga gazetarja Klodiana Lala për BalkanWeb. I pari që do të merret në pyetje nga organi i akuzës është ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha. Sipas Lalës, Berisha do të merret në pyetje nesër në orën 10 ose 11 të paradites.
Mësohet se në pyetje do të merret edhe deputeti Flamur Noka. Ndërkohë, një ditë më vonë, prokuroria do të thërrasë për të marrë në pyetje liderin e PD-së, Lulzim Basha, bashkë me sekretarin e Përgjithshëm, Gazment Bardhi, në orën 11:00.
Një ditë më parë Berisha konfirmoi se ishte i gatshëm që të shkonte në prokurori. Kujtojmë se nga protesta, ku u shënuan disa incidente, u arrestuan 34 persona, mes tyre 11 mbështetës të Bashës, ndërsa sot u liruan nga gjykata.
Kujtojmë se organi i akuzës bën me dije aktualisht po sekuestrohen të gjitha pamjet filmike në ambientet me vlerë hetimore dhe po merren në pyetje të gjithë personat e përfshirë.
Ndaj 34 të arrestuarve, prokuroria bën me dije se janë ngritur 4 pista hetimi duke nisur nga dhuna e ushtruar nga protestuesit në drejtim të selisë së PD-së deri tek mbajtja e sendeve të ndryshme të paligjshme dhe individualizimi i autorëve.
Njoftimi i Prokurorisë së Tiranës:
PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË TIRANË
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë po kryen hetime për çështjen penale me Nr. 182 të vitit 2022, për ngjarjen e datës 08.01.2022, të ndodhur në selinë e Partisë Demokratike.
Nga veprimet e para hetimore të kryera rezultojnë të jenë arrestuar 34 persona, të dyshuar për vepra penale të ndryshme si “Shkatërrim prone” sipas nenit 150 të Kodit Penal, “Prishja e qetësisë publike” sipas nenit 274 i Kodit Penal, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive” sipas nenit 282 te Kodit Penal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” sipas nenit 278 i Kodit Penal dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” sipas nenit 279 i Kodit Penal.
Po kryhen veprimet e duhura në drejtim të individualizimit të veprimeve të kryera nga secili prej personave të arrestuar dhe personave të tjerë të përfshirë në veprime në kundërshtim me ligjin.