Ditën e sotme Ministri i Drejtësisë , Ulsi Manja është shprehur se për Policinë e Shtetit kjo protestë ka qenë sfida më e komplikuar.
Ndërsa ka reaguar për protestën e zhvilluar në selinë e PD , thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, Manja thekson se në asnjë vend në botë nuk ka ndodhur që një një parti politike të kthehet në një arenë lufte me mjete mesjetare.
Statusi:
Sot ka qenë ndoshta sfida më e komplikuar për një Polici Shteti në demokraci, sepse kjo e sotmja është një ngjarje e padëgjuar në historinë politike të planetit. S’ka bërë vaki në botë që një parti politike të kthehet në një arenë lufte me mjete mesjetare, mes dy palësh të ekstremizuara në skaje të papara ndonjëherë. Policia e Shtetit e ka kaluar me dinjitet të lartë profesional këtë sprovë përballë papërgjegjshmërisë më absurde të të dyja palëve të përfshira në konflikt. Tani që më e keqja ka kaluar më së miri, prokuroria dhe policia duhen mbështetur pa rezervë në kryerjen e detyrës së nxjerrjes para ligjit të përgjegjësve të asaj skene krimi jashtë dhe brenda godinës së këtij ballafaqimi mesjetar. I bëjmë thirrje palëve të vetëpërmbahen dhe të mos pengojnë me veprime ose mosveprime të qëllimshme, organet ligjzbatuese të bëjnë detyrën.