Ekzekutimet janë kthyer në çështje dite tashmë, por këtë herë ngjarja ka ndodhur në Spanjë.
Një shqiptar është gjetur i vdekur me një plumb në kokë pranë bregut të lumit Guadalentin në rajonin e Totana-s. Dyshimet e para të policisë janë për hakmarrje bandash duke qenë se prej vitesh viktima punonte në lokalet e natës në Mazarron, madje mediat spanjolle thonë se ekzekutimi mund të ketë ndodhur për shkak të pazareve të drogës, por kjo nuk është vërtetuar.
Sipas mediave vendase trupi i tij kishte shenja të konsiderueshme dhune, mirëpo vdekjen ia ka shkaktuar plumbi që kishte marrë në kokë.
Mësohet se shqiptari është zhdukur që ditën e hënë në zonën ku ai punonte dhe Policia spanjolle ka arritur që ta zbulojë trupin e pajetë pas një telefonate të një banori që jetonte aty afër, i cili i njoftoi autoritetet për një makinë të dyshimtë pranë lumit Guadalenti, e cila nuk kishte lëvizur që nga dita e hënë.
Ajo që ende policia nuk ka mundur të zbulojë është vendi i kryerjes së krimit. Pra nuk dihet nëse vrasja është kryer në ndonjë vend tjetër apo kanë pasur një takim me viktimën në këtë zonë dhe më pas e kanë ekzekutuar. Megjithatë policia është duke hetuar të gjitha pistat për të bërë zbardhjen e plotë të gjithë krimit.