Një ngjarje tragjike me një viktimë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në zonën “Don Bosko” të Tiranës.
Disa persona qëlluan me armë zjarri në një lokal në Tiranë duke lënë të vdekur 35-vjeçarin Erion Çela, si dhe të plagosur shtetasit Arben Dani, 46 vjeç, Azbi Selmani, 19 vjeç, Blerim Çela, 28 vjeç dhe Edmond Crroj, 41 vjeç.
Ndërkohë ditën e sotme ka ardhur një reagim nga presidenti i vendit Ilir Meta në lidhje me ngjarjen që ka tronditur kryeqytetin.
Meta u shpeh se dënon ngjarjen kriminale dhe se një akt i tillë përbën një sfidë të hapur të grupeve të krimit të organizuar ndaj shtetit dhe institucioneve të tij, por edhe një kërcënim të rëndë për sigurinë dhe për vetë jetën e qytetarëve të Tiranës.
Gjithashtu presidenti i bën thirrje Policisë së Shtetit të bëjë një punë intensive për të gjetur autorin e ngjarjes si dhe gjithashtu për të parandaluar rastet të tjera të kësaj natyre.
“Dënoj me forcë ngjarjet kriminale të ditëve të fundvitit dhe të ditëve të para të vitit të ri, të ndodhura në disa qytete të vendit, e veçanërisht ngjarjen fatale në rrugën “Don Bosko”, në Tiranë, ditën e djeshme, që përfundoi me vrasjen e një shtetasi dhe plagosjen e disa të tjerëve.
Një akt i tillë kriminal, në një nga zonat më të populluara të kryeqytetit, jo vetëm përbën një sfidë të hapur të grupeve të krimit të organizuar ndaj shtetit dhe institucioneve të tij, por edhe një kërcënim të rëndë për sigurinë dhe për vetë jetën e qytetarëve të Tiranës.
Kjo është rrjedhojë e një sërë aktesh të tjera kriminale, që kanë mbetur të pazbuluara dhe ku autorët nuk janë vënë përpara drejtësisë.
I bëj thirrje Policisë së Shtetit, si dhe të gjithë institucioneve ligjzbatuese në vend, të forcojnë punën, së pari për arrestimin e autorëve të këtij krimi të rëndë, por edhe për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet tyre për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen, shprehet presidenti Meta.