Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditëne sotme në ambientet e një hoteli në autostradën Durrës-Tiranë, pasi një 23-vjeçare është plagosur me armë zjarri.
Një 32-vjeçar ka qëlluar me armë në ambientet e një hoteli shtetasen E. K., 23 vjeçe, banuese në Durrës, e cila ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë që më pas 23-vjeçarja që mbeti e plagosur në një hotel ka tentuar të shfajësojë autorin e plagosjes, Fatbardh D. nga Sukthi, i cili ia mbathi nga vendi i ngjarjes duke e lënë të plagosurën aty.
E plagosura që është dërguar në spital ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën ka deklaruar se është qëlluar padashje nga i dashuri me të cilin ishte në hotel. Sipas saj, ai ka qenë i dehur dhe arma i është shkrepur pa dashje. Largimi nga vendi i ngjarjes është një rrethanë që e rëndon më tej pozitën e autorit të dyshuar për plagosje, ndërsa për policinë rrethanat e krimit janë ende të paqarta.
Postblloqe janë ngritur për kapjen e 32-vjeçarit në bashkëpunim me policitë e zonave fqinje me Durrësin.
Çifti ka qenë për të festuar nisjen e vitit të ri, por është përfshirë në një ngjarje kriminale që pret të zbardhet më tej nga grupi hetimor.
“Në autostradën Durrës-Tiranë, rreth orës 09:20, në ambientet e një hoteli, në rrethana ende të paqarta, shtetasi F.D, 32 vjeç, banues në Sukth, dyshohet se ka plagosur me armë zjarri pistoletë shtetasen E.K, 23 vjeçe, banuese në Durrës, e cila ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë pas marrjes së njoftimit menjëherë kanë shkuar në vendngjarje dhe po krehin zonën me qëllim kapjen e autorit. Në bashkëpunim me DVP Tiranë dhe Fier janë ngritur pika kontrolli në rrugët nacionale. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, thuhej në njoftimin e Policisë së Shtetit me informacionin paraprak.