Protesta/ Eskorta e Ramës dhe delegacioni holandez kalon mes për mes turmës
Kryeministri Edi Rama ka kaluar me makinë përmes pedonales pranë Ministrisë së Brendshme ku ishin mbledhur protestues, për të kaluar në Kuvendin e Shqipërisë për seancën plenare.
Në momentin që ka kaluar eskorta e kreut të qeverisë, simpatizantët e opozitës kanë nisur thirrjet kundër qeverisë, por nuk u shënua asnjë incident.

Po ashtu ka mundur të futet në Ministrinë e Brendshme pa asnjë incident, edhe ministri i Drejtësisë së Holandës, ndërsa jashtë godinës së ministrisë së udhëhequr nga Sandër Lleshaj, protestues të shumtë të opozitës thërrisnin: E duam Shqipërinë si gjithë Evropa.

Delegacioni holandez mbërriti në Ministri i shoqëruar nga eskortat e sigurisë së Policisë. Makina e ministrit dhe delegacionit arriti deri para portës hyrëse të ministrisë pa asnjë incident, ndërsa në shkallët e ministrisë doli t’i presë drejtuesi i institucionit Sandër Lleshaj. Ajo që ra në sy ishte fakti se as ministri Ferdinand Grapperhaus dhe asnjë pjesëtar i delegacionit holandez nuk ktheu kokën për të parë protestuesit që pas shpinës së tyre thërrisnin në kor: Poshtë Edi Rama! E duam Shqipërinë si gjithë Evropa.