Një skandal ka ndodhur me të dhënat private të shqiptarëve ku janë publikuar pagat e mbi 600 mijë punonjësve publik e privat, krahas së cilës tregohet edhe numri i kartës së identiteti dhe vendi ku ata punojnë.
Ndërkohë një ditë më pas ka vijuar të thellohet skandali, sepse po qarkullon edhe lista e pagave për muajin prill të vitit 2021.
Edhe lista e muajit prill duket të jetë në format e ngjashme me atë të parën, e eksportuar në programin “Exel”. Ajo përmban të dhëna sensitive si numri ID, Nipt-i i biznesit, emër mbiemër dhe paga. Ajo që bie në sy është se kjo databazë ka disa ndryshime si në pagë, por edhe në të dhëna të tjera. Në listë këtë herë janë 694 473 qytetarë shqiptarë, rreth 60 mijë më shumë se lista e parë.
Kujtojmë që kryeministri Rama ditën e sotme reagoi në lidhje me ngjarjen që tashmë është ndër më të diksutuarat.
Ai i bëri thirrje i Prokurorisë të kryejë një hetim të imtësishëm mbi këtë ngjarje.
“Sot ju kemi ftuar për të folur për ngjarjen e qarkullimit të të dhënave mbi pagat e qytetarëve shqiptarë. Në radhë të parë dua t’iu kërkoj një ndjesë të gjithëve që janë shqetësuar me të drejtë për këtë ndërhyrje në këtë aspekt të jetës së tyre private. Ndërkohë dua ta nënvizoj që në fillim se kjo është një ngjarje, e cila meriton të hetohet imtësisht. Uroj, shpresoj dhe ju bëj thirrje organeve ligjzbatuese që ta kryejnë këtë hetim me të gjithë kapacitetet e tyre. Nga ana tjetër, dëshiroj të ndaj me publikun se në këndvështrimin tim nuk është e vështirë të shohësh se këtu ka një qëllim jo fort të vështirë për të krijuar konfuzion dhe për të nxitur destabilitet, në një përpjekje që nuk është e para, u shpreh Rama.