Një ngjarje e rëndë ndodhi vitin e kaluar, natën e ndërrimit të viteve në një familje shqiptare në Yarraville, Melbourne, Australi ku babai qëlloi për vdekje me armë zjarri të bijën dhe bashkëshortin e saj.
55-vjeçari Osman Shaptafaj qëlloi me armë zjarri fillimisht të bijën 25-vjeçare Lindita Musai e cila gjeti vdekjen në vend, e më pas partnerin e saj, 29-vjeçarin Veton Musai, i cili u nda nga jeta në spital.
Pas një viti, mediat e huaja kanë publikuar detaje rrëqethëse, për mënyrën se si Osman Shaptafaj vrau të bijën dhe dhëndrin në përvjetorin e martesës. Ndërsa vëllai i 25-vjeçares shprehet se motra e tij e urrente babain.
Daily Mail raporton se shkaku i krimit brutal, ishte se e bija ishte martuar me 29-vjeçarin pa dijeninë e tij dhe pa i kërkuar leje. Ndërsa mendonte se fëmijët kishin krijuar alenacë me nënën e tyre, pas ndarjes.
Lindita ndërroi jetë në vendngjarje, pas të shtënave vdekjeprurëse, ndërsa bashkëshorti, të nesërmen ndërroi jetë në spital.
Kujtojmë që sipas medieve australiane, bazuar te dëshmitë e të afërmeve të familjes, Lindita Musai pas martesës ishte përpjekur të fillonte një jetë të re larg babait të saj, por ai nuk e pranonte një fakt të tillë dhe ishte kundër largimit të saj nga shtëpia duke i ekzekutuar. Një anëtar i familjes, i cili dëshironte të mbetej anonim, tha që vajza kishte kaluar një periudhë të vështirë nga i ati për shkak të formimit të tij. “Unë thjesht do të them se nuk kishte të bënte me formimin e tij ose me besimin e tij, pasi ai nuk ka besim”, tha ai.
Çifti kishte një vit që ishte martuar dhe pesë që ishin njohur. Miqtë e përshkruanin dasmën e tyre si një nga ‘më të mirat që ishte bërë ndonjëherë’. ‘Një çift i tillë i bukur, një familje kaq e bukur … Një nga dasmat më të mira që kam qenë në Australi’ shkroi një mik i familjes në Facebook. Vajza punonte në një kompani që merrej me shitje pronash në Melbourne ndërsa burri në një bankë.