Projekti i tunelit Kardhiq- Delvinë, 36.5 km ka qenë planifikuar që në vitin 2007. Ai do të reduktonte distancën Tiranë-Sarandë në më pak se 3 orë udhëtim.
Tuneli pretendohej t’i shërbente banorëve të zonës si dhe interesave të zhvillimit të turizmit. Tuneli i Skërficës, pra ai Kardhiq-Delvinë, me gjatësi 1316 metra është një nyje lidhëse e rrugës strategjike Kardhiq-Delvinë, për zhvillimin e turizmit në bregdetin e jugut dhe Sarandës.
Tenderi për tunelin Kardhiq-Delvinë është hapur që në muajin prill të vitit 2019, ku në garë u paraqitën 6 ofertra.
Më 17 qershor, Autoriteti Rrugor Shqiptar skualifikoi 5 ofertat më të ulëta dhe shpalli fitues bashkimin e kompanive ku bënte pjesë “Sulova”. Ky grup kishte dhënë ofertën më të lartë, atë të 18.9 milionë eurove.
Por “Gjoka Konstruksion” u ankua në KPP (Komisionin e Prokurimit Publik) dhe më 9 korrik vendimi u mor në favor të saj. Si rezultat, tenderi i ndërtimit të tunelit iu dha kompanisë “Gjoka Konstruksion”.
Tuneli i Skërficës, pjesë e aksit të ri rrugor Kardhiq-Delvinë, është hapur plotësisht në muajin gusht të këtij viti pas përfundimit të gërmimeve në të gjithë gjatësinë e tij. Ndërkohë që që punimet për elementë të tjerë të nevojshëm të kësaj rruge, vazhduan.
Por ndërkohë që akoma nuk kishin përfunduar plotësisht punimet, ndodh shembja e pjesës hyrëse të tunelit Kardhiq Delvinë.
Dalja e tunelit të Skërficës, në anën e Delvinës, pjesë e rrugës Kardhiq-Delvinë është mbuluar nga dherat dhe gurët për shkak të një shembjeje të regjistruar pasditen e djeshme.
Shembja e tunelit Kardhiq-Delvinë, për të cilin është propaganduar vazhdimisht evidenton cilësinë e punës së “Gjoka Konstruksion”, kompanisë që luftoi “me shpirt” për të marrë tenderin.
Në fakt, kompania “Gjoka Konstruksion” nuk është një emër i padëgjuar, pasi ka pasur vazhdimisht skandale me tenderat e fituara nga ajo.
Kujtojmë që “Gjoka konstruksion” mori në koncesion ndërtimin e “Rrugës së Arbrit” për 225 milionë euro.
Punimet e marra përsipër nga “Gjoka Konstruksion” nuk përfunduan në kohë sipas kontratës. Para një viti kompania i paraqiti si të përfunduara në segmentin Zall Bastar- dalje Ura e Vashës dhe mori paratë, por pas inspektimit, u evidentua se puna nuk kishte mbaruar.
Autoriteti Rrugor Shqiptar, në cilësinë e autoritetit kontraktor, bëri verifikimet e nevojshme për kompaninë “Gjoka Konstruksion” dhe zbuloi te dhënat e rreme për punët e kryera prej saj në “Rrugen e Arbrit”.
Në datën 12 shtator, ARRSH i kërkoi Agjencisë së Prokurimit Publik nisjen e një procedure hetimi administrativ për kompaninë e ndërtimit “Gjoka Konstruksion”.
Kompania duhet të siguronte paratë, të ndërtonte rrugën dhe më pas shteti ta paguante, por në këtë rast nuk u zbatua kjo procedurë, pasi ajo mori gati 70 miliardë leke nga thesari i shtetit për punë të pa përfunduara.
Gjithashtu një shkelje tjetër e kompanisë së “famshme të tenderave” është edhe bashkëpunimi para dy vitesh me kompaninë e djalit të pronarit të “Gjoka Konstruksion”.
Për të realizuar një pjesë të ndërtimeve në “përmirësimin, ndërtim operimin dhe mirëmbajtjen e rrugës së Arbrit” segmenti numër 3, Zall Bastar Dalje-Ura e Vashës si dhe segmenti Ura e Cerenecit- Bllatë, kompania “Gjoka konstruksion” me administrator Rrok Gjokën lidhi para dy vitesh një kontratë nënkontraktore me shoqerinë e djalit të tij, “Gjoka 87”, me administrator Erind Gjokën, gjë e cila përbën një konflikt të hapur interesi.
Por përtej këtyre skandaleve përgjatë punimit të rrugës së Arbrit, vlen të përmendet që kjo e fundit po cilësohet si punimi me cilësinë më të dobët në infrastrukturë që është bërë deri më tani.
Jo pak herë kryeministri Rama ka ironizuar punimet e bëra nga paraardhësit e tij në qeveri ku një nga shprehjet më të famshme është dhe ajo “Rrugë të lëna rrugëve”. Por mesa duket e njëjta gjë ka ndodhur edhe me Rrugën e Arbrit, e cila u hap me 29 Nëntor, me rastin e festave të Pavarësisë.
Rruga e Arbërit, e cila është propaganduar kaq shumë, madje edhe përdorur si “as nën mëngë” për fushatën elektorale, tashmë i ka zhgënjyer qytetarët.
Akoma pa përfunduar plotësisht, në videot që qarkullojnë në rrjetet sociale evidentohen të çara në asfalt, duke rrezikuar edhe drejtuesit e automjeteve.
Mesa duket kompania “Gjoka Konstruksion” punon më shumë për “fitimin” e tenderit sesa për projektin që duhet të përfundojë.
Ndërkohë që nuk do ishte e çuditshme që kompania në fjalë të “rrëmbejë” ndonjë projekt tjetër të rëndësishëm, ashtu sikurse ndodh rëndom në Shqipëri.