Skip to content
Politikë

Kush ia tërhoqi vëmendjen? Mblodhi Kuvendin, por Berisha nuk votoi në asnjë prej propozimeve

· 2 min lexim

Sot po mbahet në stadiumin “Air Albania” Kuvendi i 11 Dhjetorit, i thirrur nga ish kryeministri Berisha.

Por ndonëse mblodhi Kuvendin e partisë për të votuar ndryshime të rëndësishme në Parti, ish kryeministri Berisha nuk ka votuar asnjë prej tyre.

Ajo që tërhoqi vëmendjen përgjatë votimit është se ish-kryeministri nuk ka ngritur dorën në shenjë aprovimi për asnjë nga propozimet e kaluara për votim në kuvend, i cili po mban punimet në stadiumin ‘Air Albania’.

Kujtojmë se në Kuvend, u kaluan për miratim statuti i ri i partisë, shkarkimi i 4 nënkryetarëve si edhe u kalua për votim të fshehtë shkarkimi i kreut të PD, Lulzim Basha.

Kuvendi i “11 dhjetorit” kërkoi disa ndryshime statutore për shkarkimin e Lulzim Bashës, ku pika më kryesore është ajo e krijimit të një Komisioni Tranzitor rithemelimi me 15 anëtarë dhe do të ushtrojë të gjithë kompetencat që i takojnë organeve qëndrore të Partisë Demokratike, me përjashtim të atyre që i takojnë Kuvendit Kombëtar.

Ky komision, përshkruhet gjithashtu si përgjegjës për organizimin dhe mbajtjen e proceseve zgjedhore brenda PD-së.

Komisioni i Organizimit te Kuvendit shkarkon nënkryetarët e PD, sekretarin e përgjithshëm, dhe kryesinë e PD-së, me arsyen se nuk janë zgjedhur sipas statutit.

Në Kuvendin Kombëtar është zgjedhur Komisioni i Rithemelimit me 27 anëtarë.

Gjatë fjalës së tij Këlliçi njoftoi se Kuvendi vendosi të votojë me votim të fshehtë për shkarkimin e kryetarit të PD, Lulzim Basha për dëmtim të rëndë të interesave politike.