Sot Partia Demokratike shënon 31-vjetorin e themelimit të saj, ndërkohë që lideri demokrat, Lulëzim Basha ka dhënë një mesazh për mediat.
Basha e konsideroi këtë përvjetor të partisë që drejton një ditëlindje e thyer nga ata që sipas tij e përçanë PD-në, duke akuzuar kështu Berishën.
“Është një ditëlindje e thyer nga ata që e përçanë PD për interesat e tyre. Por nga kjo ditëlindje PD do të dalë e bashkuar dhe e vendosur për demokratët dhe jo për interesat personale.”, tha ai.
Kujtojmë që më herët lideri demokrat, Lulzim Basha ftoi dje demokratët që të vinin në selinë e PD në orën 12:00, për të festuar këtë ditë të shënuar për këtë parti.
Në hyrje të selisë ndodhet një memorial kushtuar kësaj date, e cila mban firmat e themeluesve të PD-së, ndërkohë që ai do të zbulohet në orën 12:00.
Ndërkohë nga ana tjetër ish kryeministri Sali Berisha po realizon Kuvendin Kombëtar të PD-së të thirrur nga vetë ai.
Në këtë Kuvend marrin pjesë zëra të rëndësishëm të PD, si Edi Paloka, i cili do të hapë dhe ceremoninë, po ashtu edhe Oerd Bylykbashi, apo dhe Flamur Noka, Agron Shehaj, Luan Baçi, Gent Strazimir, Klevis Balliu, Aldo Bumçi, Fatbardh Kadilli, Bujar Nishani, Voltana Ademi, Albana Vokshi, Tritan Shehu, Sait Dollapi, Bardh Spahia, Belind Këlliçi. Po ashtu të pranishëm janë Enno Bozdo, Ledjana Fratari, Evi Kokalari si dhe Arben Ristani.