Një ngjarje ka ndodhur mëngjesin e ditës së sotme në fshatin Juban të Shkodrës.
Digjet mjeti i një biznesmeni nga fshati Juban në njësinë Guri i Zi në Shkodër, ndërsa ka dyshime se zjarri ka qenë i qëllimshëm.
Raportohet për Balkan Web se shtetasi Artan Luka, 33 vjeç, banues në Juban të Gurit të Zi kishte çuar makinën e tij tip “Porch Panamera” në një servis aty në fshat rreth 200 metër larg banesës.
Papritur rreth orës 3 të mëngjesit të sotëm dyshohet se një person është afruar nga pjesa e përparme e mjetit duke e djegur në mënyrë të qëllimshme.
Nga pamjet e kamerave të sigurisë, të siguruar për Balkan Web, disa metra më tutje në momentin që mjeti i biznesmenit Luka merr flakë, duket një mjet tjetër që lëviz dhe që dyshohet se ka marrë autorin që i ka vendosur flakën duke u larguar më pas në drejtim të paditur.
Shtetasi Artan Luka është pronar i një bar/restoranti eventesh që ndodhet në fshatin Juban të cilin e ka blerë një vit më parë.
Po ashtu punon edhe më një person tjetër në fushën e ndërtimit. Pas djegies së mjetit nga i cili nuk ka mbetur asgjë pasi është shkrumbuar plotësisht kanë mbërritur në vendngjarje forcat zjarrfikëse, por ka qenë e pamundur për ta shpëtuar atë makinë që u dogj plotësisht. Po ashtu në vendngjarje kanë mbërritur edhe forcat e policisë bërë hetimet paraprake të kësaj ngjarje që sipas dyshimeve të deritanishme është e qëllimshme. Megjithatë duke qenë se në pamje autori nuk duket duke e vënë flakën, pritet akti i ekspertizës nga zjarrfikëset, i cili do të vendosë përfundimisht nëse kemi të bëjmë me një zjarrëvënie të qëllimshme. Ndërkohë pronari i këtij mjeti, biznesmeni Artan Luka ka deklaruar në policinë vendore të Shkodrës se nuk ka asnjë konflikt me askënd.