Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Tiranë, në mëngjesin e sotëm, ku një 42-vjeçare ka tentuar të vetëvritet duke u hedhur nga pallati ku jetonte.
Ngjarja ndodhi rreth orës 05:50, në vendin e quajtur “Ardeno”. Ndërkohë burime zyrtare nga policia bënë me dije se dyshohet se është vetëhedhur nga kati i tretë i pallatit ku banon, shtetasja me inicialet D. P., 42 vjeçe, e cila ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Kujtojmë që para disa javësh në Vlorë ndodhi e njëjta situatë por në ndryshim, me pasoja tragjike. Pamela Mertiri humbi jetën menjëherë ndërsa i biri 1 vjeç u nda nga jeta më vonë në spital.
Viktima 34 vjecare nuk ishte banore e pallatit dhe ka hyrë në godinë me qëllimin për tu hedhur nga shesh pushimi i një kati. Një fqinj që po parkonte makinën e ka ndihmuar i pari duke marrë në krahë fëmijën që ishte ende gjallë.
Viktima me profesion farmaciste nga Tirana kishte shkuar në Vlorë te prindërit. Sipas fqinjëve ajo jetonte prej pak kohësh atje pasi kishte probleme me bashkëshortin. Pallati i prindërve ndodhet pas godinës ku e reja hipi për t’i dhënë fund jetës.