Rafineria e naftës në Ballsh ishte pjesë e ARMO, e privatizuar në vitin 2008. ARMO kishte dy rafineri, atë të Ballshit dhe të Fierit. Sot funksionon vetëm rafinerie e naftës në Fier.
Ndërkohë që mbi 800 naftëtarë në Ballsh vijojnë të kërkojnë nga 13 paga të prapambetura, Report Tv mëson se një bankë e nivelit të dytë, ka shitur rreth 2 javë më parë, rafinerinë e Ballshit për 9 milionë euro, e cila do të çmontohet për të shkuar për skrap.
Me qëllim që kompania blerëse ta rikthente atë në punë mësohet se fillimisht banka e nivelit të dytë, ka negociuar për ta shitur rafinerinë për 25 milionë euro,.
Në kuadër të kësaj janë ngritur dy grupe me ekspertë vlerësues të rafinerisë së amortizuar. Grupet e ekspertit, në bazë të vlerësimit, kanë arritur në konkluzionin se për të rikthyer në punë rafinerinë, nevojiteshin 30-50 milionë euro, një kosto kjo e konsideruar shumë e lartë.
Ajo që evidentohet është një lëvizje strategjike për ta çuar rafinerinë e Ballshit drejt falimentimit në mënyrë që edhe vlera e shitjes së saj të ishtë më e ulët duke u shitur për skrap.
Kujtojmë që vitet e fundit rafineria ka kaluar herë në pronësi të bankave dhe herë tek investitorët “gjahtarë” që kanë nxjerrë fitime të paligjshme nga shfrytëzimi i saj. Aktualisht kompania Shijaku shpk ka nisur çmontimin e rafinerisë së Ballshit, për ta çuar për skrap, sipas kontratës.
Banka ka vendosur t’ia shesë rafinerinë kompanisë “Shijaku shpk” për 9 milionë euro.
Shfrytëzimi i ARMO-s që pas privatizimit të saj në vitin 2009 mendohet të ketë krijuar rreth 1 miliardë euro humbje për buxhetin dhe qytetarët shqiptarë në formën e taksave të papaguara dhe rrjetit të borxheve të krijuar në ekonomi. Kjo e bën këtë padiskutim krimin më të madh financiar në Shqipëri, i cili nëse hetohet mund të çojë pas hekurave të gjithë elitën politike dhe atë ekonomike të vendit. Dhe mekanizmi kryesor që ka mundësuar këtë vjedhje dhe fshehjen e përgjegjësive ligjore ishte ai i ndërrimit të shpeshtë të pronësisë dhe transferimit në disa duar.
Përtej kësaj, ligjërisht ARMO është e klasifikuar si sektor strategjik. Legjislacioni në fuqi nuk e lejon falimentimin e ndërmarrjeve strategjike ndaj shitja e rafinerisë për skrap është një operacion i paligjshëm, pavarësisht se kjo paligjshmëri ka nisur vite më parë. Atëherë kur ARMO u shit fshehurazi në ankand dhe u lejua të ndryshojë pronësinë.
Të parët që konstatuan se rafineria po demontohej ishin naftëtarët. Që nga ai moment, ata mblidhen çdo ditë përpara rafinerisë për të protestuar dhe duke kërkuar të informohen se kush po e shkatërron ARMO-n. Por pytjete tyre shkojnë në vesh të “shurdhër” pasi i gjithë procesi po kryhet në fshehtësi të plotë.
“Këto ditë kanë hequr dhe një apo dy pompa nga TEC-i se kur u leverdis atyre vijnë vënë dorë, kur s’u leverdis e kalojnë për skrap,” u shpreh kryetari i sindikatës së naftëtarëve, Sokol Dautaj.
Mbetet ende e panjohur se si kompania Shijaku ka arritur ta shtjerë në dorë ARMO-n.
Nuk është rasti i vetëm që kompania më në krye Shpëtim Shijakun bashkëpunon me qeverinë ndërsa SPAKU bën “sehir”.
Ndërkohë që SPAK vijonte të merrej me korrupsion policësh rrugorë dhe pesë mijë lekësha, kryeministri Rama dhe Braçe i dhuruan Shpëtim Shijakut vendkomandën qendrore të ushtrisë në Sauk, qendrat stërvitore të ushtrisë në Sauk, ish-reparte dhe prona të tjera të ushtrisë, të cilat tani e tutje do të përdoret për interesa private të Shijakut.
Gjithashtu ka pasur edhe herë të tjera që kompania vepron në mënyrë të paligjshme, pasi Shpëtim Shijaku ka marrë me 1 euro vendkomandën qendrore të ushtrisë në Sauk, me sipërfaqe 27 000 m2 dhe sipërfaqe ndërtimorë 864.1 m2, qendrën stërvitore të ushtrisë në Sauk me sipërfaqe 49 900.85 m2 dhe sipërfaqe ndërtimore 545 m2, një tjetër pronë të ushtrisë me sipërfaqe 25 881 m2 dhe sipërfaqe ndërtimore 303 m2, ish-repartin ushtarak nr. 3042 dhe qendrën stërvitore të ushtrisë me sipërfaqe 33 934 m2 dhe sipërfaqe ndërtimore 226 m2.
Me kompanitë e tij në falimentim, Shpëtim Shijaku ka marrë edhe leje për hidrocentrale, duke u kamufluar me kompani të tjetra. Shijaku ka lidhje të forta me persona të skeduar për skema mashtrimi dhe grabitje.