Varianti i ri i Covid-19 i quajtur “Omicron” ka ngjallur alarm në botë për shkak të rreziksmërisë që pretendohet se mbart. Ndërkohë ministrja e shëndetësisë Orgerta Manastirliu, në fjalimin e saj në kuvend u shpreh se e vetmja mënyrë për ta luftuar këtë virus, për të cilin aktualisht ka shumë pak të dhëna, është vaksina.
Manastirliu theksoi se masat ekstreme nuk janë një zgjidhje efektive
“Në kushtet kur e gjithë Bota është në alert të shtuar për shkak të variantit të ri OMICRON, për të cilin ende dihet shumë pak, por mjaftueshëm, sa për të forcuar gatishmërinë në këto muaj të sezonit të dimrit që sapo ka nisur, lipset të jemi të gjithë bashkë për ta përballuar edhe këtë sfidë të radhës.
E teksa janë duke u vlerësuar masat që duhen marrë, si edhe forcën goditëse të një vale të re potenciale për shkak të variantit Omicron – sigurisht në përputhje me rekomandimet e OBSH për të mos kaluar në kufizime drastike – të gjithë ekspertët, kudo në botë, flasin në UNISON kur rekomandojnë të vetmen mbrojtje që ka bota: vaksinën. Ndërkohë që virusi ndryshon dhe shfaqet në formën e varianteve të ndryshme, në anën tjetër, nuk ka ndryshuar aspak gatishmëria që ne kemi treguar qysh prej ditës së parë. Strukturat e Ministrise se Shëndetësisë kanë forcuar më tej vigjilencën, qoftë sa i përket survejancës në territor dhe identifikimit të hershëm, me qellim këputjen e sa më shumë hallkave të zinxhirit të infektimit nga infeksioni Covid-19.Po kështu shërbimi nga mjeku i familjes deri tek strukturat spitalore janë të fuqizuara dhe gati të përballojnë skenarët të cilët ne kemi përllogaritur për situatën e dimrit.