29 Nëntori i sotëm shënon 77-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë nga forcat fashiste italiane e gjermane.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Ushtria Nacinal Çlirimtare e Shqipërisë zhvilloi kryengritje të armatosur kundër okupimit të Shqipërisë. Prej 7 prillit të vitit 1939 e deri më 29 nëntor të vitit 1944, Shqipëria kishte qenë e pushtuar nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, në vjeshtë të vitit 1943, Shqipëria pushtohet nga forcat gjermane.
Në fund të nëntorit 1944, pas Çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, mbetej te çlirohej qyteti i Shkodrës dhe qarku i tij.
Shkodra u çlirua më 29 nëntor të vitit 1944, datë kjo e cila shënon ditën e çlirimi të Shqipërisë nga pushtimi gjerman. Shqipëria është vendi i parë në Ballkan që u çliruan me forcat e veta, ndërsa të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit u çliruan me ndihmën e Armatës së Kuqe.
Gazeta e Ushtrisë , “Luftëtari” me 10 korrik 1945, në një shkrim me titull “Brigadat që çliruen qytetet tona”, shkruante për çlirimin e Shkodrës me 29 nëntor 1944. Në shtator 1945, me vendim të organeve lokale, gjimnazi i Shkodrës merr emrin “29 nëntori”. Ndërsa me 9 nëntor 1945 Kryesia e Këshillit Antifashist NÇ vendos që 29 nëntori, si ditë e Çlirimit të Shqipërisë t,ë shpallej festë zyrtare. Kjo datë është shpallur feste zyrtare edhe me vendimin e Kuvendit të Shqipërisë të kohës së Demokracisë dhe festohet e do te festohet gjithnjë, në shenjë nderimi për ata që dhanë jetën dhe luftuan për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë.
Më 29 nëntor 1944 u mbyll lufta epike Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar, që rivendosi pavarësinë e Atdheut, e shkëputi Shqipërinë nga blloku nazifashist, ku e kishin futur kuislingët dhe e vuri në radhën e koalicionit të madh antifashist botëror.