Ilir Meta, presidenti i Republikës së Shqipërisë, ka përgëzuar për rizgjedhjen homologun e tij bullgar, Rumen Radev.
Meta shprehet beson se në këtë mandate të ri të Presidentit Radev, marrëdhëniet mes dy vendeve do të jenë më frytdhënëse për të ardhmen.
Ai shton se vlerëson rolin që Bullgaria ka luajtur për Shqipërinë në procesin e integrimit Evropian.
Postimi i Metës:
I nderuar Zoti President, Shkëlqesia Juaj, Rumen Radev,
Rizgjedhja Juaj si President i Bullgarisë, më jep kënaqësinë e veçantë, që në emër të popullit shqiptar dhe emrin tim personal, t’Ju përcjell urimet më të ngrohta e të sinqerta për përmbushjen me sukses të misionit Tuaj në drejtimin e Republikës së Bullgarisë.
Shpreh besimin se gjatë mandatit Tuaj të ri, marrëdhëniet shumë miqësore e tradicionale të bashkëpunimit, dypalësh dhe shumëpalësh, midis dy vendeve e dy popujve tanë miq do të zhvillohen e pasurohen edhe më tej në të ardhmen.
Jam i bindur se falë vullnetit, vizionit dhe vlerave të përbashkëta euroatlantike marrëdhëniet e miqësisë dhe të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Bullgarisë, jo vetëm ato politike, do të fitojnë një dinamikë të re, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit ekonomik, turizmit, kulturës, arsimit dhe zhvillimit infrastrukturor.
Sot, si asnjëherë tjetër, adresimi i sfidave me të cilat shoqëritë tona po përballen, kërkon një bashkëpunim edhe më të ngushtë mes vendeve tona në rajonin e Europës dhe më gjerë, sidomos në kuadër të partneritetin të NATO-s.
Dëshiroj të shpreh mirënjohjen për mbështetjen, që Bullgaria i ka dhënë Shqipërisë dhe të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian, e njëkohësisht të shpreh bindjen se rizgjedhja Juaj si President i Bullgarisë do të nxisë edhe më shumë mbështetjen bullgare për vendet kandidate të rajonit tonë në këtë proces të rëndësishëm, si në planin strategjik, ashtu edhe në atë të stabilitetit rajonal.
Së bashku me urimet e mia të sinqerta për rizgjedhjen Tuaj si President i Republikës së Bullgarisë, dhe urimet e mia më të mira për shëndetin dhe lumturinë Tuaj dhe për zhvillimin e përparimin e mëtejshëm të Bullgarisë, Ju lutem pranoni Shkëlqesi, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.