Kreu i Partsië Demokratike Basha përgjatë seancës plenare, vuri theksin tek projekt-buxheti i vitit 2022.
Sipas Bashës ky buxhet ka në qendër të tij taksa dhe akciza që shtohen për qytetarët dhe mbrojtjen e status quo-në dhe interesat e një pakice, që pengon zhvillimin, që dëmton prodhimin vendas.
Ndër të tjera Basha shtoi se që ndonse borxhi dhe taksat janë të larta ka një keqmenaxhim të tyre, që nuk përkthehen në investime konkrete.
“Mentaliteti juaj, duket edhe njëherë në këtë buxhet, që përveç taksave dhe akcizave që rriten dhe shtohen, shfaq dukshëm tahmanë për të mbrojtur status quo-në dhe interesat e një pakice, që pengon zhvillimin, që dëmton prodhimin vendas, që ka nxitur dhe do vazhdojë të nxisë një rritje të mëtejshme çmimesh nga e cila penalizohen të gjitha familjet shqiptare. Mirëpo Shqipëria ndodhet përballë sfidave të mëdha dhe ka nevojë për zgjidhje po aq të mëdha. Që ju nuk i jepni dot. Sepse ndërkohë që ju majmeni e krenoheni majë plehut, vendi po plaket me shpejtësi marramendëse. Rritja e numrit të të moshuarve po shoqërohet me emigrimin e familjeve të reja dhe me normat më të ulëta të lindshmërisë në vend. E ndonëse qeverisni këtë vend prej 8 vitesh, gjysmën e të cilave të vetëm, pyetjet për çështjet kryesore që shqetësojnë shqiptarët I keni lënë pa përgjigje.
Sepse ndonëse keni marrë më shumë borxh se të gjitha qeveritë e mëparshme të bëra bashkë, keni rritur taksat dhe tarifat më lart se kurrë më parë në historinë e këtij vendi që nga Tanzimati, nuk keni ditur t’i ktheni miliardat që keni keqmenaxhuar as në mirëqenie për qytetarët, as në paga dhe pensione më të larta dhe të dinjitetshme, as në përmirësimin e produktivitetit të sipërmarrjeve. Përkundrazi. Miliardat që keni marrë borxh në emër të shqiptarëve, taksat që keni rritur për të financuar makutërinë tuaj, kanë shërbyer për ndërtimin e një ekonomie të përqendruar në pak duar.
Me shtetin e përdorur si punëdhënës patronazhistësh dhe i pak oligarkëve, me të cilët keni vrarë konkurrencën e lirë, keni ndrydhur zhvillimin ekonomik, keni penguar investimet e huaja. E keni bërë Shqipërinë një vend nga i cili largohen të rinjtë e të rejat, largohen profesionistët dhe forca prodhuese e shoqërisë”, tha Basha.