Kryeministri Edi Rama edhe pse ka pasur shumë kritika ndaj deklaratës së tij për dy satelitët, vijon ta mbaj në vëmendje këtë temë.
Të martën ai ka deklaruar se sateliti i parë do të hidhet në mars. Kryeministri u shpreh gjatë fjalës së tij në prezantimin e buxhetit 2022 se prioritet i qeverisë është siguria ajrore. Ai tha se ndodhen në fazën që me një financim të ministrisë së Infrastrukturës është krijuar qendra e kontrollit kombëtar të rrugëve.
Ai komentoi edhe humorin që është bërë në rrjet me deklaratën e tij për dy satelitët dhe pati një përgjigje për komentuesit. Rama tha se “nuk është aspak keq që njerëzit të qeshin se shëndet bëhet”.
“Prioritet tjetër, siguria rrugore. Jemi në fazën që me një financim të ministrisë së Infrastrukturës së krijuar qendra e kontrollit kombëtar të rrugëve, në një proces që vazhdon po punohet për investimin që do të heqë më pas nga rruga patrullat. Qëndrojnë në vend dhe bëjnë kontrolle sipas rastit. Do të jetë kapërcim i madh për mirëqeverisjen e territorit dhe racionalizimin e energjive të PSH dhe për zhdukjen e ngjarjeve korruptive. Projekti tjetër është ai i satelitëve, ju keni dëgjuar për ta me siguri. Keni parë edhe shumë gallatë dhe humor për satelitët megjithatë nuk është aspak keq që njerëzit të qeshin se shëndet bëhet. Do e hedhim të parin në muajin mars”, deklaroi kryeministri Rama.