Padyshim që stina e dimrit këtë vit nuk ka përfunduar ashtu siç pritej, pasi temperaturat janë rritur relativisht shumë në krahasim me muajin shkurt dhe mars të vitit të kaluar, gjë e cila rrjedhimisht ka sjellë edhe thatësirë.
Mirëpo kjo thatësirë përveç se nuk është duke ndikuar për mirë në fushën bujqësore, rrezikon edhe një fushë tjetër, atë të energjetikës.
Mësohet se liqeni i Fierzës për shkak të mungesës së shirave ka rënë nga niveli i tij, duke arritur tashmë kuotën minimale.
Sipas ABC Nevvs, burimet kanë shumë herë më pak ujë, ndërsa prurjet e lumenjve kanë pësuar rënien më të madhe në 10 vitet e fundit.
Të dy lumenjtë e mëdhenj që furnizojnë liqenin, Drini i Bardhë dhe Drini i Zi nuk sjellin më shumë se 170 metër kub ujë në sekondë. Niveli i ujit po zbret çdo ditë dhe pritet të shkojë drejt 255 metra, thënë ndryshe rreth 30 metra ujë më pak se kuota maksimale.
Pra në këtë situatë energjia e nevojshme është duke u siguruar nga importi dhe nuk dihet edhe sa do të vazhdojë kjo situatë.