Përmbaruesja gjyqësore Satbere Shahu ka dhënë urdhër për institucionet shtetërore dhe kompaninë “Dragobia Energy” dhe “Gener 2”, që të zbatojnë vendimin që ka dhënë Gjykata e Lartë dhe pezullojnë kontratën e koncensionit për dy hidrocentralet në lumin Valbonë deri në një vendim të formës së prerë. Në rast se kjo nuk ndodhë, ato do të gjobiten dhe do të fillojë ndjekja penale.
Brenda 10 ditëve, Ministria e Energjisë, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Ministria e Mjedisit, Këshilli Kombëtar i Territorit, Këshilli i Basenit Ujëmbledhës Drin-Bunë, Shoqëria “Gener 2” dhe “Dragobia Energy”, nën cilësinë e debitorit, duhet të zbatojnë vendimin, ose do të ketë penalizime.
“Mbas kalimit të këtij afati, Zyra e Përmbarimit do të fillojë ekzekutimin e detyrueshëm për debitorin që refuzon ose nuk kryen sipas asaj që ka vendosur vendimi i gjykatës, do të gjobitet deri në 50.000 lekë deri në ekzekutimin e detyrimit si dhe kallëzim për ndjekje penale për pengim të ekzekutimit, në bazë të nenit 320 të Kodit Penal“, – thuhet në shkresën zyrtare.
Referuar vendimit të Gujykatës së Lartë, datë 21 korrik 2021, kontrata koncesionare dhe shtesat e saj do të pezulloheshin deri në një vendim përfundimtar nga gjykata. Por pak më shumë se katër muaj nga zbardhja e vendimit, urdhri i gjykatës nuk gjeti zbatim. “Dragobia Energy” vijoi të prodhonte energji përmes shfrytëzimit të uji të lumit Valbonë, bën me dije “Citizens Channel”.
Duke qenë se hallkat ligjzbatuese nuk funksionun, në këtë rast roli i përmbaruesit, krijoi një ngërç sa i përket ekzekutimit të vendimit të gjykatës dhe punimet vazhduan në shkelje të ligjit.
Eduard Mrishaj, përmbaruesi i Tropojës refuzoi të ekzekutojë vendimin e gjykatës. Në ligj parashikohet se përmbaruesi mund t’i japë afat kohor deri në 10 ditë kompanisë për te zbatuar vendimin vullnetarisht. Nëse kjo nuk ndodh, atij i lind e drejta që të ndërhyje edhe duke përdorur ndihmë nga policia e shtetit.
Më datë 27.10.2021, Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Përmbarimit urdhëroi përmbaruesin e Tropojës të zbatojë vendimin e Gjykatës së Lartë. Vendimi erdhi pasi përfaqësuesi ligjor i organizatës TOKA iu drejtua Drejtorisë së Përgjithshme të Përmbarimit me një shkresë ku kërkonte ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Lartë sa i përket çështjes së Valbonës.
Leja për ndërtimin e ndërtimin e hidrocentralit “Dragobia”, në Valbonë u miratua në vitin 2007. “Gener 2”, nënshkroi kontratën koncensionare me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë, si autoritet kontraktues.
Në fillim mendohej që katër hidrocentrale të ndërtoheshin brenda zonës së mbrojtur, duke shfrytëzuar burimet ujore të përroit të Çeremit, lumit të Valbonës, përroit të Matinës dhe atë të Milloshit për një periudhë 35-vjeçare. Kompania fituese u tërhoq më pas nga vendimi për të ndërtuar katër HEC-e, dhe ato u reduktuan në dy, “HEC Dragobia” dhe “HEC Çeremi”.
Komuniteti i zonës u angazhua kundër ndërtimit të HEC-eve dhe firma u akuzua se falsifikoi nënshkrimet nga konsultimet me publikun, ku edhe persona që ishin ndarë nga jeta rezultonin të kishin firmosur.
Në proces-verbalin e konsultimit për publikun kryer nga “Dragobi Energy” në vitin 2013, rezultojnë se kanë marrë pjesë 20 banorë dhe kanë shprehur miratimin e tyre për ndërtimin e HEC-eve. Aktivistët kanë akuzuar kompaninë se falsifikoi firmat e pjesëmarrësve, pasi në lista figuronin të pranishëm edhe njerëz që ishin ndarë nga jeta.
27 baorë dhe “TOKA” depozituan një padi pranë Gjykatës Administrative të Tiranës, në muajin maj të vitit 2017. Në padi kërkohej anulimin e dy hidrocentraleve në Luginën e Valbonës, duke listuar argumentet që lidhen me ndërtimin në një park kombëtar të kategorisë së dytë dhe falsifikimin e firmave në dëgjesat publike. Gjykata e rrëzoi padinë disa muaj më vonë. Vendimi u apelua dhe padia u pranua në qershor të vitit 2018. Gjykata e Apelit urdhëroi pezullimin e punimeve.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Tropojës më datë 31 korrik 2018 vendosi të rrëzojë vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit në Tiranë për pezullimin e punimeve për ndërtimin e HEC-eve në Parkun Kombëtar të Valbonës. Në vendimin e Gjukatës së Tropojës i jepej të drejtë kompanisë koncensionare “Dragobia Energy” që të vijonte punimet të paktën deri në 31 janar 2019.
Marrë me ndryshime nga Citizens Channel