Greqia regjistroi 5,449 raste të reja me koronavirus në 24 orët e fundit, thanë autoritetet të hënën, shifra më e lartë njëditore që nga fillimi i pandemisë në fillim të vitit të kaluar. 52 persona të tjerë vdiqën nga COVID-19 gjatë ditës së kaluar, duke e çuar totalin në 15,990 nga 747,595 raste me COVID-19.
Giannis Oikonomou, një zëdhënës i qeverisë, tha se kjo ishte “nxitje” për të rritur numrin e vaksinimeve, të cilat kanë ecur me një ritëm më të ngadaltë nga sa parashikonin autoritetet.
“Nuk kemi mbaruar ende me COVID. Për sa kohë që ka njerëz të pavaksinuar, virusi gjen një terren të përshtatshëm për t’u përhapur”, tha Oikonomou në një konferencë të rregullt për mediat të hënën.
“Ne vajtojmë humbjen e jetëve njerëzore për shkak të mosvaksinimit dhe kjo nuk mund dhe nuk duhet të vazhdojë”, shtoi ai.
Rreth 60.5% e grekëve janë të vaksinuar kundër COVID-19, më pak se mesatarja e Bashkimit Europian prej 64.7%, sipas të dhënave më të fundit të disponueshme.
Ndërkohë, numri i vdekjeve nga Covid-19 e kaloi ditën e sotme shifrën tragjike të 5 milionë. Megjithatë, numri i jetëve të humbura për shkak të virusit dyshohet të jetë më i lartë pasi në shumë vende të varfra ka munguar testimi dhe shumë njerëz kanë humbur jetën në shtëpi, pa iu ofruar shërbim spitalor.