Në seancën plenare të kësaj të enjte, Basha bëri thirrje nga kuvendi për votimin e nismës së PD-së lidhur me TVSH-në për mallrat e shportës.
Basha tha se shqiptarët po përballen me rritjen e gjithanshme të çmimeve dhe situata ekonomike e tyre është rënduar, ndërsa shtoi se ka familje që flenë pa ngrënë për shkak të varfërisë. Nisma e PD, shtoi ai, është një masë urgjente për të ndihmuar familjet shqiptare.
Basha tha se efekti financiar nga ulja e TVSH-së do të amortizohet nga PPP-të jo parësore.
Kryetari i PD-së lëshoi akuza ndaj qeverisë për rëndimin e borxhit të vendit.
“Me borxhin më të lartë në historinë e tranzicionit, ju po e asfiksoni ekonominë. Sepse edhe pse keni marrë më shumë borxh se çdo qeveri tjetër nga ‘91 e këtej, nuk keni qenë të aftë ta ktheni këtë borxh në rritje ekonomike të ndjeshme për familjet shqiptare, por vetëm në përfitim për klientët tuaj që i çojnë paratë e shqiptarëve nëpër parajsa fiskale. Dhe sot, vini me një tjetër Eurobond prej 700 milionë eurosh, dhe ofendoni edhe inteligjencën e qytetarëve, duke i rënë gjoksit se jeni të aftë të merrni borxh, për të fshehur pas kësaj krenarie idiote, dështimin e modelit tuaj ekonomik”, u shpreh Basha.
Partia Demokratike ka dorëzuar këtë të martë në Kuvend nismën për uljen e TVSH-së nga 20 në 6% për produktet e shportës.
Nënkryetarja e PD Jorida Tabaku tha në një dalje për mediat se kjo nuk është nismë populiste por për të ndihmuar qytetarët.
“Kjo është një nismë politike që vjen në ndihmë të qytetarëve, nuk është populiste, por është në dobi të qytetarëve. Ulja e TVSH-së do të ndihmojë shtresat në nevojë për të rritur konsumimin e tyre. Shumë vende të BE-së kanë ulur TVSH-në edhe për energjinë. Propozimi që ne kemi është shumë i thjeshtë dhe konkret” tha ajo.