Prej 3 ditësh spitali i Krujës vijon të mbushet me pacientë të cilët kanë simptoma helmimi, dhe deri më sot ka shkuar në 500 numri i qytetarëve të paraqitur në spital në Krujë për të kërkuar ndihmë shëndetësore, pas helmimit për shkak të ujit të pijshëm. Ndërkohë, sipas mjekëve, vihet re një përmirësim i lehtë i situatës, ku nga mesdita e deri mëngjesin e sotëm janë paraqitur në urgjencën e spitalit rreth 150 qytetarë.
Ndërkohë analizat mikrobiologjike të ujit në Krujë kanë treguar ngarkesë bakteriale të Escherichia Coli dhe Streptokokut Fekal. Burime për Report Tv bëjnë me dije se uji është ndotur në depon e qytetit të Krujës.
Në një reagim zyrtar të Ujësjellësit të Krujës një ditë më parë, u tha se shkak paraprak për helmimin e banorëve, është kontaminimi i ujit të pijshëm si pasojë e reshjeve të dendura të shiut të shtunën dhe të dielën, veçanërisht në vendburimin e Malësisë së Krujës ku është konstatuar prezenncë e amoniakut mbi normë.
Ndërkohë ministrja e shëndetësisë Orgerta Manastriliu ditën e sotme u shpreh: “Dua të theksoj se tani në Krujë gjendja është e kontrolluar. Fatmirësisht fluksi ka ardhur në rënie e sot janë vetëm 14 të shtruar që do lënë spitalin sapo të përfundojnë protokollet e kujdesit. Do ju informoj sa po të kemi raportet përfundimtare të analizave bakrerologjike. Bashkia e Krujës ka marrë masat për të gjithë përballimin e situatës për desinfektimin dhe elementët e tjerë që i përkasin sigurisë së shëndetit pulik.”