Grupet palestineze të të drejtave të njeriut të përcaktuara nga Izraeli si “organizata terroriste” kanë bërë thirrje për mbështetje ndërkombëtare për të ndryshuar vendimin, i cili ka potencial të komprometojë aftësinë e tyre për të bërë punë humanitare.
Një urdhër ushtarak i nënshkruar nga Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Benny Gantz, të premten i shpalli të jashtëligjshme gjashtë organizata, duke i vënë ato në rrezik të hakmarrjeve të afërta. Ata u akuzuan se ishin të lidhur me Frontin Popullor për Çlirimin e Palestinës (PFLP), krahu i armatosur i të cilit ka kryer sulme vdekjeprurëse kundër izraelitëve.
Al-Haq, një organizatë që dokumenton shkeljet e të drejtave që nga viti 1979, mohoi akuzat dhe bëri thirrje për “solidaritet ndërkombëtar”.
“Nuk është rastësi që përshkallëzimi i fundit i masave ndëshkuese nga Izraeli kundër Al-Haq dhe organizatave të tjera të shoqërisë civile ka ardhur menjëherë pas hapjes së një hetimi të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për krimet e Izraelit në situatën në Palestinë”, tha grupi në nje deklarate.
Ish-prokurori i IÇ-së Fatou Bensouda përcaktoi në mars se kishte prova të mjaftueshme paraprake për të justifikuar një hetim mbi krimet e mundshme të luftës në territoret palestineze. Izraeli ka thënë se nuk do të bashkëpunojë me hetimin.
“Akuzat e pabaza përfaqësojnë një përshkallëzim alarmues dhe të padrejtë të sulmeve kundër popullit palestinez në luftën e tij për liri, drejtësi dhe të drejtën për vetëvendosje”, tha Al-Haq.