Një ngjarje e rëndë ndodhi në Lezhë disa javë më parë, ku 21-vjeçari Aldi Rama, vrau me armë zjarri nënkomisarin e policisë, Saimir Hoxha dhe si raportoi policia më pas vrau veten. Rama ndërroi jetë tek spitali i Traumës në Tiranë.
Ditën e sotme babi i Aldi Ramës, Rufan Rama në një intervistë për Fax News ka deklaruar se i biri është dhunuar nga policia dhe ka deklaruar se kjo ngjarje nuk ka qenë vetëvrasje ashtu si u raportua. Ai ka thënë ndër të tjera se do të marrin hak për të birin.
“Ata policë që e kanë kapur, kanë ushtruar një dhunë shumë të paparë, duke e rrahur në mënyrë barbare. Kur e kanë kapur në Lezhë e kanë dhunuar. Bravo ju qoftë gazetarëve dhe prokurorëve që e kanë deklaruar se djali e ka denoncuar këtë dhunë, por nuk ka pasur ekspertizë mjeko-ligjore. Akoma do ketë vrasje në popull.
Si e vranë Klodian Rashën që i futën pistoletën në duar. Kam komunikuar me të 2 javë para se të vritej. I ka thënë gjyshit që kam një dhimbje të madhe në këtë krah. Ai e ka pyetur po si kështu. Na fikën mor ky shtet, cfarë bëhet me këtë popull. Një njeri kur shkel ligjin arrestohet, si qenka kjo me të dalim të vrasim njerëz si të na mbushet mendja? A ishte një person i katërt në makinë?
Nuk jam i sigurtë kush e ka shkrepur armën. Kam parë disa lajme, para disa kohësh ka dalë një lajm sikur ka qenë një person i katërt i cili ka qenë më i rrezikshëm se Aldi dhe mendoj se mund ta ketë bërë krimin, më pas thonë hajt ta mbulojmë këtë se Aldi e ka bërë. Nuk të linte kush të dhunohesh në këtë mënyrë. E kanë vrarë mor djalin, e kanë marrë pistoletën dhe ja kanë kthyer drejt kokës. Nuk rri pa ia marrë hakun, nuk e fal gjakun e tim biri more zotëri, do marr hak…shtet kopil,”- thotë Rufan Rama.