Izolimi brenda një shtëpie të monitoruar me kamera 24 orë, jetesa me persona të ndryshëm dhe dinamika e lojës nuk janë dhe aq të lehta për banorët.
Duket se shkëputja nga jeta e përditshme dhe malli për të afërmit ka dhënë dhe efektet e para tek Semi, e cila nuk ka mbajtur dot lotët.
Këngëtarja është përlotur teksa qëndronte në oborr në shoqërinë e Donaldit.
Aktori i humorit i kërkoi asaj disa herë të qetësohej dhe t’i tregonte pse ajo ishte mërzitur dhe në atë gjendje, por Semi vendosi të mos japë asnjë shpjegim.
Pas pak minutash, nën mbështetjen e Donaldit, gjendja emocionale e Semit duket se u kthye në normalitet.
Që prej nisjes së “Big Brother VIP”, publiku po priste një raport të tensionuar midis ish-it të Bora Zemanit, Donald Veshajt dhe shoqes së saj të ngushtë, Semi Jaupajt.
Mirëpo, pavarësisht ndarjes së dyshes, Semi dhe Donaldi ruajnë marrëdhënie të mira dhe kanë shfaqur afrimitet shoqëror me njëri-tjetrin në këtë reality show. Megjithatë, fansat u “shqetësuan” për Borën duke nxitur aludimet se aktori i humorit dhe këngëtarja mund të shfaqin diçka më shumë se miqësi aty brenda.
Duket se një gjë të tillë e kanë vënë re edhe banorët brenda shtëpisë së “vëllait të madh”.
Në një bisedë të zhvilluar më herët, Semi u ka bërë të qartë se me Donaldin kanë raport shoqëror që nga jashtë.
Po ashtu, në lidhjen me temën e hapur nga banorët se a do të lidhej me ish-të dashurin e shokut të ngushtë, Semi ka dhënë një përgjigje të prerë duke thënë se ‘kategorisht jo’.
Megjithatë, banorët kanë dyshimet e tyre dhe ky raport i Semit dhe Donaldit komentohet akoma shumë brenda ambienteve të shtëpisë.