Këtë të diel në kryeqytet u zhvillua Maratona e Tiranës, ku morën pjesë rreth 2500 garues, prej të cilëve 1000 vinin nga e gjithë bota.
Për pasoj disa nga rrugët kryesore të kryeqytetit ditën e sotme ishin të bllokuara. Maratona e mori startin në sheshin “Skënderbej”, për të vazhduar më pas në rrugët kryesore të kryeqytetit. Por duket se standardet e dyfishta vijojnë në vendin tonë. Në një kohë që COVID-19 po shënon shifra shqetësuese në shesh grumbullohen mijëra persona pa asnjë distancë dhe masë mbrojtëse.
Si pasojë e pandemisë COVID-19, asnjë grumbullim nuk lejohet, me justifikimin për të ndaluar përhapjen e koronavirusit. Ajo që vihet re është se pandemia ekziston vetëm kur qytetarët e thjeshtë duan të protestojnë për padrejtësitë që iu bëhen në këtë vend dhe jo kur pushteti ka interes.
E kemi vënë re shumë herë që sa herë ka evenimente të cilat i organizon Bashkia, grumbullimet lejohen. Siç shihet nga pamjet, numri i pjesëmarrësve në këtë event të zhvilluar është mjaft i lartë në një kohë që nuk lejohen grumbullime me më shumë se 50 persona në ambientet e jashtme.
Nga ana tjetër në fjalën e tij kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj nuk shfaqi asnjë shqetësim për rritjen e numrit të të infektuarve në vend. Ai falenderoi të gjithë pjesëmarrësit por nuk e dëgjuam të përmendte gjë për masat e vendosura anti-COVID.
“Shumë faleminderit që keni ardhur në Tiranë. Një duartrokitje për ata që kanë ardhur nga Kosova nga qytete të tjera të Shqipërisë, nga qytete të tjera të Europës. Nga Asutralia, Zelanda e Re., Japonia, Kina, Amerika, Kanadaja, Kili. Nga të gjithë bota. Faleminderit që keni ardhur në Tiranës, jam i sigurt që do të largoheni jo vetëm me një eksperiencë fantastike, por edhe me miq të rinj”, tha Veliaj.