Një ngjarje e rëndë ndodhi në Qerret të Kavajës, ku humbën jetën katër turist rusë në një hotel. Detaje të reja kanë dalë në dritë ditën e sotme. Mediat ruse kanë publikuar foto të dy prej viktimave, përkatësisht të nënë e bijë, Nataliia Burenkova, 58 vjeç,e dhe Ekaterina Burenkova 31 vjeçe.
Sipas mediave ruse 58-vjeçarja vuante nga kanceri dhe për këtë arsye nuk është futur në saunë.
Viktimat u gjetën në hotel të veshur me veshje të përshtatshme për saunën, por nuk është ende e qartë nëse ata ishin futur aty apo jo. Ndërsa, të afërmit e viktimave kanë deklaruar se asnjëri prej tyre nuk konsumonte alkool ose lëndë narkotike. Shkaku i vërtetë i vdekjes pritet të përcaktohet pas rezultateve të autopsisë.
Ndërkohë, 31-vjeçarja dhe i fejuari i saj, i cili po ashtu u gjet i vdekur, do të martoheshin pas pushimeve që çifti kishte nisur prej disa ditësh me prindërit e të resë.
Sjellim në vëmendje se ngjarja tragjike ndodhi mbrëmjen e së premtes dhe viktima kanë mbetur Natalia Burenkova, 58 vjeçe, Sergei Burenkov, 60 vjeç, Nikita Belousov, 37 vjeç, dhe Ekaterina Burenkova 31 vjeçe.
Ata ishin ndarë nga pjesa tjetër e grupit , ndërsa kishin pak orë që kishin mbërritur në ambientet e hotelit. Turistët e tjerë e vunë re mungesën e katër personave që humbën jetën dhe nisën kontrollet brenda ambienteve të hotelit.
Ishte recepsionisti ai që pa skenën e rëndë, pasi ishte ai që shkoi tek sauna ku u gjetën katër viktimat. Ai ka deklaruar se kishte trokitur në derën e dhomës së hotelit, por nuk kishte marrë një përgjigje e më pas kishte shkuar në dhomën e saunës ku i gjeti pa shenja jete.