Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme në Qerret të Kavajës, ku humbën jetën 4 shtetas rus. Shkaqet e kësaj tragjedie të rëndë mbeten mister ndërsa policia ka dyshuar fillimisht për një helmim.
Nga ekzaminimet paraprake doli se ata nuk kanë konsumuar ushqime në Shqipëri pas kthimit nga Ohri. Ndërsa nga verifikimet e bëra në zonën e saunës rezulton të mos jenë gjetur elementë që mund të sillnin asfiksinë.
Sipas raportimeve, kjo gjë ka shtuar dyshimet tek grupi hetimor se mund të kemi të bëjmë edhe me një vrasje, por mbetet ende herët për të dalë në një përfundim të saktë për mënyrën e kryerjes së saj.Familja ruse ka hyrë që të dielën në territorin shqiptar, nënëprmjet një agjencie turistike të administruar nga një shtetase ukrainese. Gjatë ditës së djeshme ata kanë qenë në Ohër, ku kanë konsumuar drekën dhe në kthim mësohet se kanë ndaluar disa minuta në Librazhd për nevojat personale.
Sjellim në vëmendje se viktimat janë Natalia Burenkova, 58 vjeçe, Sergei Burenkov, 60 vjeç, Nikita Belousov, 37 vjeç dhe Ekaterina Burenkova 31 vjeçe. Ata ishin ndarë nga pjesa tjetër e grupit , ndërsa kishin pak orë që kishin mbërritur në ambientet e hotelit. Turistët e tjerë e vunë re mungesën e katër personave që humbën jetën dhe nisën kontrollet brenda ambienteve të hotelit. Ishte recepsionisti ai që pa skenën e rëndë, pasi ishte ai që shkoi tek sauna ku u gjetën katër viktimat. Ai ka deklaruar se kishte trokitur në derën e dhomës së hotelit, por nuk kishte marrë një përgjigje e më pas kishte shkuar në dhomën e saunës ku i gjeti pa shenja jete.