Një ngjarje tragjike ndodhi mbrëmjen e djeshme në një hotel në Qerret të Kavajës, ku katër shtetas rusë humbën jetën në një sauna.
Mësohet se personat që kanë humbur jetën ishin Nataliia Burenkova, 58 vjeçe, Sergei Burenkov, 60 vjeç, Nikita Belousov, 37 vjeç, Ekaterina Burenkova, 31 vjeçe.
Ata ishin ndarë nga pjesa tjetër e grupit , ndërsa kishin pak orë që kishin mbërritur në ambientet e hotelit. Dyshohet se turistët kanë qenë nën efektin e alkoolit, gjë që mund ta ketë përkeqësuar gjendjen e tyre, ndërsa shkaku i vdekjes dyshohet të ketë qenë asfiksia. Megjithatë ekspertiza ligjore pritet të përcaktojë edhe shkakun e vdekjes.
Turistët e tjerë e vunë re mungesën e katër personave që humbën jetën dhe nisën kontrollet brenda ambienteve të hotelit. Ishte recepsionisti ai që pa skenën e rëndë, pasi ishte ai që shkoi tek sauna ku u gjetën katër viktimat. Ai ka deklaruar se kishte trokitur në derën e dhomës së hotelit, por nuk kishte marrë një përgjigje e më pas kishte shkuar në dhomën e saunës ku i gjeti pa shenja jete.
Ndërkohë, bëhet me dije se për ngjarjen e rëndë është njoftuar edhe ambasada rusë në Shqipëri. Nga ana tjetër, grupi hetimor është duke punuar për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që çuan në vdekjen tragjike të turistëve.