Deputeti i PD Agron Gjekmarkaj, njëkohësisht kryetar i Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik është larguar nga mbledhja e sotme ku po raportonte Ministrja e Arsimit Evis Kushi. Shkak i braktisjes së sallës së mbledhjes nga deputeti Gjekmarkaj është bërë gjendja shëndetësore jo e mirë e tij.
Në fjalën e tij përpara kolegëve, Gjekmarkaj teksa kërkoi ndjesë për largimin, u shpreh se pavarësisht gjendjes jo të mirë shëndetësore kishte ardhur në mbledhjen e sotme për respekt institucional dhe njerëzor. Pas largimit të kryetarit Gjekmarkaj, mbledhja e komisionit vijoi nën drejtimin e socialistit Petro Koçi.
“Përpara se t’ia japë fjalën zotës minister, desha të them se për arsye shëndetësore nuk e kam të mundur të rri më gjatë. Unë erdha këtu vetëm për respekt institucional dhe njerëzor. Kam nderin t’ja kaloj drejtimin e seancës zoti Petro Koçi. Ju uroj punë të mbarë për sot dhe ju kërkoj shumë ndjesë për mungesën time”, tha Gjekmarkaj, i cili për aq pak kohë sa ka qëndruar në sallë ku bëhej mbledhja ka mbajtur maskën mbrojtëse. Gjatë komunikimit të tij me mediat ai ka deklaruar se bëhet fjalë për një helmim ushqimor dhe gjendja e tij shëndetësore nuk kishte lidhje me virusin Covid-19.