Kryeministri i vendit Edi Rama ka reaguar ditën e sotme me një postim në rrjetin e tij social “Facebook” ku ka ndarë një video nga ndërtimet që po vijojnë në Fushë-Krujë për familjet e prekura nga tërmeti. Rama njofton se punimet në këtë vend po i afrohen fundit.
Kujtojmë se Fushë-Kruja ishte një nga zonat e dëmtuara nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit 2 vite më parë ku humbën jetën 51 persona dhe u plagosën shumë të tjerë.
Postimi i plotë i Kryeministrit Edi Rama:
“Mirëmëngjes dhe me punën e palodhur ndërtimore për lagjen e Rilindjes në Fushë-Krujë që po i afrohet fundit, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama teksa ka shpërndarë një video nga puna ndërtimore në këtë lagje.
Në programin e mandatit të 3, qeveria ka nënvizuar synimin që deri në fund të pranverës 2022 nuk do të ketë më asnjë gjurmë të tërmetit duke investuar 60 miliardë lekë për tre vite. Synohet përfundimi 4500 banesa të reja individuale, 12 mijë apartamente përfshi përfundimin e rehabilitimin dhe ndërtimin e 160 çerdheve, kopshteve, shkollave e konvikteve. Jo rradhë herë kryeministri Rama ka ndarë pamje të tilla nga punimet që kryehen për strehimin e familjeve të prekura nga tërmeti por sesa do arrihet ky objektiv mbetet për t’u parë.