Fitorja ndaj Hungarisë mban ende të gjalla shpresat e Shqipërisë për të siguruar një biletë për në fazën play-off në kualifikueset e Botërorit. Tre pikët përballë hungarezëve erdhën më shumë kosto pasi Edy Reja duhet të bëjë llogaritë pa digën e mbrojtjes, Berat Gjimshitin. Ndaj Polonisë për arsye dëmtimi mungon edhe Bekim Balaj ndërsa nuk do të jetë në dispozicion as Endri Çekiçi i cili është skualifikuar për shkak kartonësh. Pjesa tjetër e grupit është e plotë dhe në formë të mirë.
Pas ardhjes në Shqipëri, ekipi përfaqësues ka qenë pushim gjatë paradites ndërsa pasdite i gjithë grupi ka zhvilluar një seancë të lehtë stërvitore me lojtarët të cilët nuk u aktivizuan më shumë në fushë. Ndërsa lojtarët të cilët u aktivizuan bënë vetëm pak ushtrime.
Të hënën trajneri Edy Reja dhe kapiteni Etrit Berisha do të dalin në konferencën zyrtare për media në ora 13:00, ndërkohë që ekipi do të zhvillojë edhe seancën e fundit stërvitore.
Sjellim në vëmëndje që Shqipëria ditën e martë në orën 20:45 do përballet me Poloninë në “Air Albania” në kuadër të kualifikueseve të Botërorit, Katar 2022. Në rast se “kuqezinjtë” marrin tre pikët ndaj polakëve, cfarëdo të jetë rezultati me Anglinë dhe një fitore me Andorran do të na “blindojë” në vendin e dytë.
UEFA ka caktuar arbitrin kryesor për këtë ndeshje, është pikërisht një nga më të mirët në botë momentalisht, francezi Clement Turpin, ndërsa ndihmës të tij do të jenë, Danos, Gringore dhe Bouqet ndërsa në VAR, Jeroma Brisard dhe Amaury Delerue.