Konfindustria ka kërkuar riformatim të qeverisë së dalë nga zgjedhjet e 25 prillit dhe krijimin e një Ministrie të Energjisë si portofol të veçantë për përballimin e krizës. Në një deklaratë Konfindustria thotë se vlerëson se shprehja e përgjegjësisë nga qeveria do të ishte zbulimi dhe luftimi i shkaqeve të krijimit të saj dhe mospërsëritja në të ardhmen. Më tej thuhet se një pjesë e rëndësishme e arsyes së krizës vjen nga politikat e gabuara, menaxhimi i dobët, pasojë edhe e mospërfaqësimit të duhur qeveritar.
Deklarata e plotë:
Konfindustria i kërkon Z. Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë, të riformatojë Qeverinë e krijuar pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021, duke rikrijuar si portofol të veçantë Ministrinë e Energjisë. Kërkesa vjen, duke pasur parasysh shpalljen nga Kryeministri të rrezikut të krizës energjetike në vend. Konfindustria vlerëson, se veprimi i parë i shprehjes së përgjegjësisë qeveritare për përballjen me krizën e sotme, zbulimin dhe luftën e shkaqeve të krijimit të saj me qëllim mos përsëritjen në të ardhmen, duhet të jetë krijimi i Ministrisë së Energjisë. Një pjesë e rëndësishme e arsyeve të krizës energjetike të sotme vjen nga politikat e gabuara, menaxhimi i dobët, pasojë edhe e mospërfaqësimit të duhur qeveritar. Disa projekte dhe arritje pozitive, në prodhimin dhe përmirësimin e menaxhimit të sektorit energjetik gjatë mandatit të parë, u ndërprenë në vazhdim. I njëjti arsyetim vlen edhe për tregun strategjik të prodhimit dhe tregtimit të hidrokarbureve. Shqipëria, megjithëse zotëron fushën kontinentale më të madhe naftëmbajtëse në Evropë, jo vetëm nuk përfiton, por ka çmimet e karburanteve nga më të shtrenjtat dhe cilësi më të dobët në nivel botëror si pasojë e tregut oligopol, mungesës së kontrollit shtetëror dhe korrupsionit “kapjes së shtetit/state capture’. Kërkesa për krijimin e Ministrisë së Energjisë është pjesë e paketës, që Konfindustria ka përgatitur për përballimin e krizës energjetike të sotme dhe përmirësimin thelbësor të politikave në tregun strategjik të prodhimit dhe tregtimit të karburanteve dhe energjisë elektrike në vend. Paketa do ti paraqitet zyrtarisht ekzekutivit dhe vendimmarrjes politike në Kuvendin e Shqipërisë.
Kujtojmë që ditën e djeshme kryeministri Edi Rama paraqiti planin e tij me tre pika për përballimin e krizës energjitike. Në një plan që më shumë i ngjasonte premtimeve elektorale, Rama tha se furnizimi me energji elektrike do të jetë i pandërprerë. Në vazhdim Rama të propagandës së tij, Rama u shpreh se do të ndihmohen familjet dhe bizneset e vogla, ndërsa njoftoi se 200 milionë euro do të shkojnë për OSHEE-n