Kreu i PD, Lulzim Basha ka thënë se 30% e karburantit në Shqipëri hyn kontrabandë. Ai bëri me dije se PD do të depozitojë një kallëzim penal në SPAK, me shpresën se nuk do të lihet në harresë.
“Sa prej jush që ka një automjet apo që njohin dikë që përdor një automjet, nuk e dinë që cilësia e karburantit shqiptar është mizerabël. Kjo për shkak të skemës së vjedhur të korrupsionit. Dhe siç është bërë e qartë edhe sot në mbledhjen nga e cila doli edhe Rama , sipas burimeve të besueshme rezulton se 30 % e karburantit në Shqipëri hyn kontrabandë. Por pyetja përse ndodh kjo? Si ka mundësi që nuk paguhet as taksë, qindra milionë euro që nuk futen në arkën e shtetit apo nuk përkthehen në pensione. Ku shkojnë këto para? Sot po ju njoftoj se që nga dje, PD ka nisur hartimin e një kallëzimi penal të cilin do ta depozitojë në SPAK, me shpresën se nuk do të përfundojë tek dhoma e pluhurave”, tha Basha.
Ndërkohë, nënkryetari i PD, Alfred Rushaj, duke u ndalur te kriza energjetike, tha se këtë vit nevojat për energji duhet të plotësoheshin dhe nuk në asnjë moment nuk duhet të diskutohej për krizë.